Profesori i njohur britanik: Duhet të mësohemi me koronavirusin, vaksina të bëhet çdo vit

Britania e Madhe ka shënuar 77 raste të reja të variantit të ri të koronavirusit afrikano-jugor dhe 9 raste nga mutacioni brazilian.

Këto të dhëna kanë ngritur shqetësimin se virusi po ndryshon shpejt dhe mund të duhen doza vaksinash çdo vit.

Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock tha se rastet po mbahen nën vëzhgim dhe rastet duket se lidhen me personat që udhëtojnë.

“Ata janë nën vëzhgim dhe ne po bëjmë gjurmime të kontakteve në mënyrë që të ndalojmë përhapjen e varianteve të reja sa më shumë të jetë e mundur”, tha Hancock.

Ndërsa profesori Anthony Harndnen, nënkryetari i Komitetit të Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI), tha se vendi do të duhet të ‘mësohet’ të jetojë me koronavirusin.

Në një intervistë për Sky News, profesori tha: “Unë mendoj se duhet të mësohemi me këtë. Ne po jetojmë një botë ku koronavirusi është kaq i përhapur dhe pritet të dalin variante të reja në shtete të ndryshme. Më mirë të jemi në një situatë ku vaksina e koronavirusit të jetë e përvitshme njësoj si ajo e gripit.”