Ata që do të refuzojnë vendin e caktuar në dy raste, do t’ju ndërpritet marrëveshja, ndërsa organet e administratës shtetërore janë të obliguara që këtyre punonjësve të rinj t’ju mundësojnë trajnime adekuate sipas vendit të punës. Gjithashtu, edhe drejtorët dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore, agjencive, fondeve, institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike… do të gjobiten me 2000 euro nëse të punësuarit e rinj nuk i angazhojnë në procesin e punës
Evis HALILI
Shkup, 23 janar – Grupi i fundit i administratorëve që prej disa vitesh qëndrojnë në shtëpi do të shpërndahen në institucione, sipas planit të përgatitur nga Qeveria. Këto ditë, për 1349 punonjës administrativë që do të sistemohen në gjithsej 237 institucione, do të fillojnë të shpërndahen edhe vendimet përkatëse. Ata që do të refuzojnë vendin e caktuar në dy raste, do t’ju ndërpritet marrëveshja, shkruan gazeta KOHA.
Organet e administratës shtetërore janë të obliguara që këtyre punonjësve të rinj t’ju mundësojnë trajnime adekuate sipas vendit të punës. Gjithashtu, edhe drejtorët dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore, agjencive, fondeve, institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike, apo shoqërive aksionare shtetërore – do të gjobiten me 2000 euro nëse të punësuarit e rinj nuk i angazhojnë në procesin e punës. Sipas ligjit, shteti duhet t’i sigurojë të paktën rrogën e njëjtë, dhe jo më të ulët sesa paga të cilën e kanë përfituar gjatë këtyre viteve.
Në buxhetin e këtij viti, Qeveria ka akorduar një shumë të ngjashme me atë të një viti më parë – 9.3 milionë euro, ose mesatarisht 500 euro në muaj. Plani për shpërndarjen e nëpunësve administrativ përmes programit K5, programi për përfaqësim të drejtë, u miratua nga Qeveria në mbledhjen e 40-të. Ndërkohë, Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Bashkësive duhej të hartonte brenda një afati prej 15 ditësh vendimet individuale për shpërndarjen e tyre në organet e administratës shtetërore. Ky plan përfshin të gjithë të punësuarit në MPMB, të cilët kanë lidhur kontrata punësimi deri më datën 31 dhjetor të vitit 2019.
“Qëllimi i Planit është që të punësuarit të shpërndahen në institucion tjetër të sektorit publik në vend adekuat në nivel të njëjtë, respektivisht në vend pune për të cilin i punësuari i plotëson kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të caktuara në aktin për sistematizim të vendeve të punës në institucionin në të cilin është caktuar. Njëkohësisht, duam të theksojmë se MSHIA është e detyruar që pas pranimit të akteve për sistematizim, në afat prej 7 ditësh ta përfundojë procedurën për marrjen e pëlqimit në vendet e punës për nëpunësit e programit K5”, thotë zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha. Varësisht datës së pranimit të tyre, ata prej për më shumë se 10 vjet dhe marrin një pagë nga buxheti i shtetit, në pritje të përcaktimit të një vendi pune. Sistemimi i tyre është bërë me grupe dhe ky është grupi i fundit që do të mbyllë kështu edhe problemin me punësimin e tyre dhe dëmin që i shkaktohej buxhetit të shtetit nga pagat që u siguronte punonjësve të papunë.