Katër persona janë thirrur në polici, për shkak të ngjarjeve në Vevçan gjatë karnavalit. Tre prej tyre u identifikuan si pjesëmarrës në djegien e flamurit bullgar. Ministria e Brendshme kundër tyre do të ngrejë padi penale.
“Tre persona janë identifikuar dhe janë ftuar në bisedë informative, që kanë të bëjnë me djegien e flamurit të Republikës së Bullgarisë. Në koordinim me Prokurorin publik, do të ngrihet kallëzim penal sipas nenit 181, për shkeljen e reputacionit të shtetit të huaj. Ky kallëzim penal mund të jetë gjobë në të holla ose burg deri në tre vjet. Për momentin, ne jemi duke punuar në dokumentimin e rastit, në mënyrë që ta bëjmë kallëzimin”.
Kryetari i komitetit komunal të VMRO DPMNE në Vevçan, Gjorgji Vllajnikoski, gjithashtu u mor në pyetje 4 orë në stacionin policor në Strugë. Ndaj tij janë shqiptuar tre kallëzime kundërvajtjëse dhe një kallëzim penal gjegjësisht për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve gjatë epidemisë, për nënçmimin dhe ofendimin e nëpunësit të policisë, për incizim të paautorizuar dhe për mos- mbajtjen e maskës.
“Do të luftoj në aspekt institucional dhe nuk do të dorëzohem. Nuk kam frikë sepse jam i pafajshëm. Gjitha këto i konsideroj si përndjekje politike ndaj meje. Nuk do të thosha se është flamur bullgar. Është flamur i improvizuar për festën i bërë me lecka. Dhe nuk e konsideroj ofendim. Nuk besoj se djegia e flamurit ka qenë për të shkaktuar ndonjë shqetësim ose mos- durim ndaj Bullgarisë”, tha Gjorgji Vllajnikoski, kryetar i VMRO DPMNE- Vevçan.
Vllajnikoski u ndalua në furgon policie për njëzet minuta gjatë paradës kryesore të karnavalit më 13 janar, kur policia prishi karnavalin, për shkak të grupimit të njerëzve të maskuar në një vend. Ai gjithashtu u kontaktua nga OSBE-ja. Ndryshe, për ngjarjet në Vevçan dhe djegien e flamurit bullgar, pati reagime të shumta si nga Maqedonia ashtu edhe nga Bullgaria ndërsa anorët e Vevçanit dënuan praninë e shtuar të policisë gjatë karnavalit./Alsat