
Dhoma e Përfaqësuesve ka nisur seancën për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump për rolin e tij ndaj sulmit në Kongres nga një turmë e mbështetësve të tij, ndërkohë që ndasitë në mesin e partisë republikane thellohen rreth krizës politike.
Seanca e 13 janarit është iniciuar nga demokratët, që kanë shumicë në këtë trup.
Artikulli për shkarkim të Trumpit – që akuzon këtë të fundit për nxitje të kryengritjes – duket se ka mbështetjen e disa republikanëve, vetëm disa javë para se presidenti amerikan të largohet nga detyra.
Shumica e votave për shkarkim të Trumpit, do të rezultonte me gjykim në Senatin e kontrolluar nga republikanët, ndonëse nuk është e qartë nëse një gjykim i tillë do të mund të realizohet derisa të skadojë mandati i Trumpit.
Ndërkohë që ligjvënësit diskutojnë për këtë çështje, Garda Kombëtare dhe zyrtarë policorë kanë rrethuar ndërtesën e Kongresit për të ofruar mbrojtje.