BDI propozon Naser Ziberin për avokat të popullit

Komisioni Kuvendor për zgjedhje dhe emërime në seancën e sotme ka miratuar listën e kandidatëve të propozuar për kryetar, nënkryetar dhe anëtarë të KSHZ-së, ndërsa me propozim të BDI-së, Naser Ziberi me shtatë vota “për” është propozuar për kandidat për avokat i popullit, informon Zhurnal.

Siç njoftuam dhe më herët, në Kuvend kanë arritur 14 kandidatura për anëtarë në KSHZ. Njoftuam dhe se Aleksandar Dashtevski jozyrtarisht do të zgjedhet kryetar i ri i KSHZ-së.

Sipas procedurës, Komisioni e konfirmon listën e kandidatëve dhe e dërgon tek kryetari Talat Xhaferi, i cili poashtu në afat prej tre ditëve u’a dërgon partive të cilat duhet të sqarohen nëse i mbështesin të njejtit. Kjo listë rikthehet përsëri tek komisioni e cila e konfirmon dhe më pas dorëzohet për votim. Afat për përgjigje nga partitë nuk ka, por procedura sipas përvojave të mëparshme mund të përfundojë brenda ditës.

Për avokat populli janë kandiduar katër persona.

Deputetja e BDI-së Teuta Bilalli Zendeli në seancë propozoi Naser Ziberin për kandidat për avokat populli.

Ndaj kësaj reagoi grupa e deputetëve të ASH-AAA. Syrija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët kërkoi që seanca të ndërpritet dhe të debatohet për tjetëer kandidat i cili do të propozohet nga opozita. Nga ASH dhe AAA thonë se Ziberit kjo pozitë i është premtuar që para zgjedhjeve, kur vendosi të kandidojë si kryeministri i parë shqiptarë nga radhët e BDI-së.