Ohër-Strugë, s’ka zgjidhje për plazhet edhe këtë vit

Këtë vit, bregu i Ohrit dhe Strugës e nis me një problem ende të pazgjidhur. Marrëveshjet e koncesioneve për ata që ende administrojnë plazhet kanë skaduar para disa viteve. Kjo do të thotë se ato menaxhohen në mënyrë të paligjshme. Megjithëse qeveria premtoi zgjidhjen e kësaj çështje përmes marrjes së kompetencave për plazhet nga vetëqeverisjet lokale dhe kthimin e tyre nën kompetencat e shtetit, nuk ka ende asgjë në këtë drejtim. Por, për dallim nga Ohri, ku në fillim të verës filloi një aksion i tillë, autoritetet në Strugë e apeluan vendimin në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi ndalim të përkohshëm për zbatimin e tij. Kryetari i Ohrit premton vazhdimin e aksionit për rrënimin e objekteve të paligjshme.

“Me dokumentacionin e ri urbanistik, do të parashihen plazhe, por jo në masë dhe madhësi të tillë që janë tani. Nuk është patjetër të kthehen plotësisht në gjendjen e tyre origjinale, por objektet që janë atje patjetër të përputhen me dokumentacionin e planifikimit që do ta miratojmë ne. Nëse një objekt në 80% nuk korrespondon me dokumentacionin e planifikimit, kjo është njëjtë sikur ta kemi hequr plotësisht atë- deklaroi Konstantin Gjeorgjieski-Kryetar i Komunës së Ohrit.

Nga Fakulteti i Turizmit që në vitin 2000 kishin parashikuar  organizimin e plazheve me komponentë maksimale ekologjike dhe pa ndërtime të forta. Por askush nuk i dëgjoi.

Ne që atëherë paralajmëruam se mund të vijë deri te shkatërrimi. Në dokumentin e vitit 2000, ne i vendosëm të gjitha zgjidhjet në  kuptim pozitiv. Për shembull, ndarja e një plazhi nga  tjetri të jetë me gjelbërim,  të ketë hapësirë për notarë të cilët nuk e kanë patjetër të përdorin shërbimet e koncesionarit dhe komponentë të ngjashme-pohoi Naume Marinoski-profesor në Fakultetin e Turizmit.

Ish koncesionarët thonë se duhet pasur kujdes me këtë proces.

Gjithçka që është platformë në liqen, gjithçka që hyn në liqen, gjithçka që është ndërtim i fortë, gjithçka që UNESCO nuk  mbështet, duhet të prishet. Por banakët dhe baret e bëra me dokument nga ish Ministria e Transportit dhe Lidhjeve duhet të mbeten. Nuk është në rregull të prishet plazhi dhe të kthehet në gjendjen e mëparshme. Cilin koncesionar do të paraqitet dhe cila është garancia e tij në 4-5 vitet e ardhshme nëse ai duhet ta prishë plazhin, ta kthejë atë në gjendjen origjinale dhe ta marrë atë dikush tjetër- tha Ilija Xheparoski – ish koncesionar i plazhit. 

Problemi me ndërtimet e paligjshme është një nga më të vështirat për t’u zgjidhur. Kjo është një nga kërkesat kryesore të UNESCO-s, që rajoni i Ohrit të mos vendoset në listën e zonave të rrezikuara. Për dallim nga Ohri, ku numri i ndërtesave të paligjshme në zonën e mbrojtur është 409, Kryetari i Komunës së Strugës Merko disa herë deri më tani ka deklaruar se nuk ka ndërtesa të paligjshme përgjatë bregut në Strugë, edhe përkundër faktit që statistika në komunë thotë se janë dorëzuar 3,300 kërkesa për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme në gjithë territorin e komunës./Alsat