Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka reaguar lidhur me mungesën e Donald Trump në ceremoninë e inaugurimit të tij.
Joe Biden u shpreh se nuk do e ndjejë mungesën e Donald Trump në 20 janar, ditën kur do të zhvillohet eventi që shënon nisjen e mandatit të demokratit.
“Është një nga vendimet më të mira që ka marrë dhe unë jam dakord”, u shpreh Biden, ndërkohë që për zv/presidentin Pence që certifikoi zgjedhjet në Kongres tha se është i mirëpritur.
I pyetur nga gazetarët se nëse kishte besim se forcat e ligjit do të siguronin si duhet ceremoninë e shumëpritur të 20 janarit, Biden deklaroi se kishte besim të madh te Shërbimet Sekrete dhe komiteti i inaugurimit.
Më herët Trump shkroi në Twitter: “Për të gjithë ata që kanë pyetur, unë nuk do të shkoj në inaugurimin në 20 Janar”. Donald Trump do të jetë presidenti i parë në largim që do të thyejë traditën 150-vjeçare në SHBA duke shmangur ceremoninë e inaugurimit të zëvendësuesit të tij.