151.606 persona në Itali janë vaksinuar kundër COVID-19 që nga fillimi i vaksinimeve më 27 dhjetor.
Nga të vaksinuarit, 134.255 janë personel mjekësor, 8.771 persona të moshuar dhe 8.580 profesionistë të tjerë. Nga kryeministria shtuan se Italia ka marrë 479.700 doza vaksinash që nga 27 dhjetori dhe ka përdorur 31,6 për qind prej tyre deri më tani.
Rajoni ku janë kryer shumica e vaksinimeve është Lazio, që përfshin kryeqytetin Romë. Numri i përgjithshëm i vaksinimeve në Lazio është 28.134, ndërsa më pas vijnë rajonet Toskana dhe Veneto.
Në Lombardi, ku u regjistrua numri më i lartë i rasteve të vdekjes nga COVID-19 me gjithsej 25.344 viktima, janë vaksinuar vetëm 6.973 persona. Fakti që Lombardia dhe rajone të tjera mbeten prapa në vaksinimin ka qenë një çështje debati në vend.
Italia pret të marrë edhe 470.000 doza të tjera të vaksinës Pfizer/BioNTech. Të paktën 75.680 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Itali, ndërsa gjithsej 2.166.244 janë infektuar, sipas shifrave të përpiluara nga universiteti amerikan “Johns Hopkins”, duke e bërë Italinë një nga vendet më të goditura në të gjithë botën.