Arsimi ishte ndër sektorët më të goditur nga pandemia gjatë vitit 2020. Shkollat u mbyllën tërësisht nga muaji mars deri në tetor. Pavarësisht se u bënë përpjekje për të zëvendësuar mësimin me prezencë fizike me atë në distancë, nxënësit dhe mësimdhënësit u përballen me pengesa të shumta si pasojë e mungesës së pajisjeve elektronike për punë dhe një plani për mësim në distancë. Më zhgënjyes ishte edhe dështimi i platformës kombëtare nga distanca. Së fundmi, me kritika u prit edhe koncepti i ri për arsimin fillor.
Të ndërpritet procesi edukues dhe arsimor në të gjitha çerdhet, shkollat fillore dhe të mesme në territorin e gjithë vendit, në 14 ditët e ardhshme – tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Pas kësaj deklarate të jashtëzakonshme ndryshoi thuajse gjithçka në fushën e arsimit. Virusi Covid 19 la gjurmë të pashlyera te çdo fëmijë në çerdhe, nxënës, studentë dhe punonjës në arsim të cilët u gjendën përballë një sfide të rëndë e të vështirë. Prandaj, viti 2020 do mbetet një nga kujtimet më të dhimbshme në arsim për shumë gjenerata. Përveç kësaj, do të kujtohet si një vit përplot probleme dhe mangësi gjatë zbatimit të procesit mësimor.
Pas pushimit të detyrueshëm 14 ditor, shkollat filluan me punë por pa nxënës. Ata që herë pas here vinin në shkollë ishin personat që dezinfektonin shkollat kundër virusit korona. Mësimi nisi të realizohet nga distanca duke shfrytëzuar të gjitha mjetet për komunikim të dyanshëm, nxënës-mësues. Tre muajt e fundit të vitit shkollor 2019-20 thuajse ishin të dështuara. U krijua kaos në arsim. Ministria e Arsimit, e papërgatitur për gjendje epidemiologjike, nuk arriti të sigurojë një skenar të përbashkët për zhvillimin e procesit mësimor nga distanca. U promovua platforma “Eduino”.
Mësimdhënësit u obliguan të ligjërojnë për 15 minuta lëndë të caktuara. Mirëpo, këto ligjërata ishin të pakta, madje për shkollat e mesme nuk kishte asnjë material mësimor.
Pavarësisht gjendjes së jashtëzakonshme me pandeminë, institucionet përkatëse nuk i shfrytëzuan pushimet verore për të krijuar një skenar për vitin e ri shkollor 2020-21.
Ky vit shkollor filloi më një muaj vonesë, 1 Tetor. Nisi sërish me probleme, me bojkot e madje edhe me protesta të nxënësve për mësim me prezencë fizike dhe jo online. Pavarësisht premtimeve të shumta të ministres së rë të arsimit, Mila Carovska, shumë nxënës mbetën jashtë mësimit online për shkaqe të ndryshme
“Nuk mundem me ndjek se nuk më bën rrjeti edhe telefonin e prishur e kam. Unë kisha dashur më shpejt të kthehemi në shkollë se nuk i kam kushtet për online me mësuar”.
“Dua të vij në shkollë sepse nuk dua ti mësoj detyrat nga kompjuteri. Dëshiroj të vij, të mësoj, të shkruaj në tabelë”.
Derisa arsimi fillor dhe i mesëm përballeshin me vështirësi në mbylljen e gjysmë-vjetorit të pare, Ministria e Arsimit doli me një koncept të ri, apo refoma në arsim, që parashohin bashkimin e më shumë lëndë në një. Por kjo u prit me reagime të shumta si nga mësimdhënësit, shoqatat e sindikatat, të cilët thanë se reforma duhet bërë, por jo shkurtimin e lëndëve apo rrezikimin e vendeve të tyre të punë.
Viti 2020 nuk zgjodhi as problemin e nxënësve të lagjes Bardhi, të fshatit Bllacë që mësimin e ndjekin në Kosovë. Shumë shkolla mbeten të pa rikonstruara dhe me kushte të vështira për mësim. Në fshatin Slivnik të Velesit nuk u ndërtua objekti i ri shkollor ndërsa në Çashkë të kësaj komune nxënësit shqiptarë të fshatrave përreth vazhdojnë të arsimohen në gjuhën maqedonase në vend të asaj shqipe. Epilog konkret nuk ka as problemi me mungesën e shkollës në Idrizovë. Problem tjetër që shqetësoi nxënësit dhe mësimdhënësit ishte mungesa e teksteve shkollore. Edhe ato pak libra që iu dhanë nxënësve ishin të dëmtuara, ndërsa këto të fundit u detyruan të bëjnë fotokopje për të mos humbur nga mësimi. Viti 2020 nuk solli asnjë të re për fillimin e ndërtimit të objektit universitar “Nënë Tereza”, në Shkup.