Spanja është një prej shteteve që është prekur nga kjo situatë, megjithëse autoritetet vendase nuk kanë dhënë më shumë hollësi.
Autoritetet gjermane kanë bërë me dije se ka pasur vonesa edhe në menaxhimin e procedurës së injektimit të vaksinave. Ndërkohë, kompania Pfizer ka siguruar se pavarësisht disa vonesave të vogla, çdo gjë është rregulluar dhe dozat do të vazhdojnë të shpërndahen.
27 dhjetori ishte caktuar data e fillimit të vaksinimit masiv në të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Megjithatë shtete si Gjermania, Hungaria dhe Sllovakia e kanë nisur procedurën një ditë përpara datës së planifikuar nga blloku evropian.
Vende të tjera si Italia, Austria, Franca dhe Republika Çeke kanë ndjekur të njëjtin shembull duke mos e vonuar procedurën që është cilësuar nga presidentja e komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si “një histori suksesi”.
Sipas parashikimeve, mendohet se me dy dozat e nevojshme që duhet të marrin secili banor I shteteve të Bashkimit Evropian, më shumë se 2 milionë persona do të jenë vaksinuar deri në pranverën e vitit 2021.
Me sigurimin e 300 milionë dozave të kompanive partnere Pfizer dhe BionTech, presidentja e bllokut të 27 vendeve anëtare ka rritur besueshmërinë duke thënë se “po kthejmë faqen e një viti të vështirë”.
Ndërsa vaksinat e Pfizer janë duke u shpërndarë dhe përdorur, Agjencia Evropiane e Barnave ka planifikuar një takim më 6 janar për të vendosur nëse do të aprovojë vaksinën e kompanisë “Moderna”. /EuroNews