Spasovski: Policia për festa do të jetë gjithkund dhe në çdo moment do të kontrollojë

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski deklaroi sot se MPB-ja ka një plan të veçantë operativ se si të veprojë gjatë pushimeve, që do të thotë se do të ketë policë kudo dhe në çdo kohë që do të kontrollojnë nëse respektohen dhe nëse dikush kontribuon në prishjen e gjendjes me përhapjen e virusit. Ai tha se policia do të veprojë sipas raportit ose informacionit që ata do ta marrin.

“Nëse vërtetohet se një ngjarje e organizuar po ndodh vërtet, Prokurori publik njoftohet dhe ne veprojmë në përputhje me ligjin”, shpjegoi Spasovski.

Ministri i Punëve të Brendshëm informoi se policia ka prishur disa ahengje këto ditë.

“Natën e kaluar ishte një aheng në Vollkovë, gjatë së cilës u arrestuan 29 persona. Një ngjarje e njëjtë ndodhi edhe në Kumanovë, ku u prish një festë familjare. Pra, ne do të veprojmë me përgjegjësi dhe përkushtim për prag të Vitit të Ri. Edhe një herë u bëj thirrje qytetarëve që të festojnë me përgjegjësi. Së bashku ne duhet të kontribuojmë në parandalimin e përhapjes së virusit”, tha Spasovski, duke shtuar se ka tendencë për të zvogëluar numrin e infeksioneve të reja.

Spasovski edhe një herë tha se gjatë pushimeve të gjithë duhet të jemi përgjegjës.
“Kushdo që nuk do t’i respektojë masat, pavarësisht nëse është pronar i një vile me qira apo një qytetar që merr pjesë në ngjarje të tilla, do të akuzohet për përgjegjësi penale, sepse ata rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, nënvizoi Spasovski.

Lidhur me shoferin e “Bentlit”, i cili kaloi nëpër dekorimet në sheshin e Shkupit dhe mori një gjobë prej 45 eurove, ministri përsëriti se konsideron se gjoba është e vogël dhe se Qeveria po mendon ndryshimin e shumës së gjobave.

“Gjoba është për një sjellje të papërgjegjshme banditi, e cila prish rendin dhe qetësinë e qytetarëve. E kemi në plan të rrisim në mënyrë drastike ndëshkimet për një sjellje të tillë”, tha Spasovski.