Paqartësi për ndihmën prej 6 mijë denarëve

78 mijë ankesat e parashtruara nga qytetarët, të cilëve besojnë se iu takon ndihma prej 6 mijë denarëve por nuk e kanë gjetur emrin në këtë listë, do të marrin përgjigje përmes postave elektronike pas festave. Nga Qeveria thanë se të gjitha këto konteste janë shqyrtuar. Por numri i atyre që e kanë gjetur veten në listë por kanë mbetur duarbosh deri në këtë moment është shumë më i lartë, Kryesisht ata kanë pasur telashe nga përditësimi i të dhënave apo bllokimi i llogarive.

Qeveria pret tolerancë prej bankave për ditët e ardhshme përderisa plotësisht të kryhen pagesat, pasi që bëhet fjalë për kategori qytetarësh, të cilët janë më të goditurit nga kriza e shkaktuar nga pandemia. Kjo situatë e pa lakmueshme ishte pasojë nga vonesat e sjelljes së ligjit në Kuvend, por e rëndësishme është që Qeveria bëri gjithçka që ndihma të arrijë tek të gjithë ata për të cilët është synuar. Qëllimi është që askush të mos mbetet pa të…”-tha Dushko Arskovski, zëdhënës i Qeverisë.

Ekzekutivi nuk ka akoma marrëveshje me bankat private, për të mos u kthyer mbrapsht mjetet e mbetura në buxhetin e shtetit. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i opozitares VMRO DPMNE e cila largoi përgjegjësinë nga vetja për mos-miratimin në kohë të ligjit.

Nuk i ka faj askush pushtetit që për këto 20 ditë nuk mundi në kohë të bëjë pagesat që vetë i premtoi.”-thonë nga VMRO DPMNE.

Sipas këtij ligji, pas 25 dhjetorit nuk ka para për ata që nuk kanë kompletuar procedurat për marrjen e kësaj ndihem nga pako e 4 e masave të krizës anti kovid. Në këtë masë përfshin afër 290 mijë qytetarë kurse nga buxheti janë ndarë 27.6 milion euro.

Por, po në “Pakon 4”, ankesa ka edhe për ndihmën ndaj një kategorie tjetër, atë të personelit mjekësor dhe administrativ të kyçur direkt nëpër kovid qendrat dhe repartet infektive spitalore të vendit. Një pjesë e tyre kanë mbetur jashtë mundësisë për marrjen e një ndihmës prej 500 eurove. Madje disa nga kjo kategori kanë paralajmëruar edhe bojkotim të punës.

Edhe stafi administrativ i spitalit është angazhuar në kontakte të drejtpërdrejta me pacientët e sëmurë për të kryer detyra të posaçme jo vetëm administrative, por edhe shërbime shëndetësore për pacientët e prekur nga CoVid-19. Nëse nuk gjejnë zgjidhje për të na dhënë edhe neve këtë ndihmë prej 30 mijë denarëve, ne do të hymë në grevë dhe do të protestojmë.”-thonë nga Stafi administrativ i Spitalit “8 Shtatori”.

Nga Qeveria sot u përgjigjën se janë në komunikim me udhëheqësit e të gjitha institucioneve shëndetësore, në të cilat disa të punësuar nuk janë përfshirë në listën e kësaj ndihme njëherësh dhe se po punojnë në gjetjen e një modeli që të shpërblehen të gjithë ata që në mënyrë direkte apo indirekte i kanë dhënë kontribut sistemit shëndetësor në përballjen e pandemisë nga virusi korona./Alsat