Mbi 20 mijë raste aktive me Covid-19, autoritetet përpiqen të sigurojnë vaksina

Numri i rasteve aktive me Covid-19 në vendin tonë është 20.313, numri më i madh prej tyre, respektivisht 11.553 pacientë janë nga Shkupi, transmeton Alsat.

Që nga fillimi i pandemisë numri i personave të diagnostikuar me koronavirus në vend është 80.896, prej të cilëve 58.182 kanë arritur të rikuperohen, ndërsa 2.401 pacientë kanë humbur betejën me sëmundjen Covid-19.

Autoritetet shëndetësore në vend që nga fillimi i pandemisë kanë realizuar 390.377 testime për SARS-CoV-2.

Autoritetet dje njoftuan se Bashkimi Evropian do të ndajë 100 milion vaksina anti kovid për vendet që nuk janë pjesë e BE-së, ku përfshihet edhe Ballkani Perëndimor. Por, për të tërhequr një sasi të caktuar të këtyre dozave, duhet që patjetër të realizohet përmes ndonjë vendi anëtarë të BE-së. Bullgaria, Greqia dhe Polonia janë shprehur të gatshëm që të sigurojnë disa doza, prej të cilave të parat pritet të arrijnë gjatë muajit janar. Nga Komiteti për Imunizim thonë se edhe Austria u shpreh e gatshme që të nis kontingjent vaksinash drejt Maqedonisë së Veriut.

“Pas shpërndarjes së vaksinës për Bashkimin Evropian, gjë e cila do të ndodh këtë fund javë me fillimin e vaksinimit. Prej tyre presim që një sasi dozash të vijnë edhe në Maqedoni. Paralajmërimet ishin që së pari priten të vijnë nga Bullgaria, Greqia e Polonia, megjithatë ja na arritën informacione se edhe shteti i Austrisë ka shprehur gatishmëri të dhurojnë pjesë të sasive të vaksinave anti kovid”-tha, Aleksandra Grozdanova, Kryetare e Komitetit për Imunizim.

Por, asnjëra prej tyre nuk precizojnë kohën dhe sasinë e saktë se kur do të arrijnë vaksinat në Shkup. Nga Ministria e Shëndetësisë shpresojnë se e para do të arrijnë dozat e premtuara nga fqinji lindor.

“Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe homologu i tij bullgar Kostadin Angelov nënshkruan letër për mes së cilës Republika e Bullgarisë obligohet që në çdo porosi të vaksinave kundër CoVid-19, e cila vetë do të furnizohet, një pjesë të tyre do ta japin donacion edhe për vendin tonë. Në këtë letër nuk ka asnjë lloj kushtëzimi se për cilën kategori të qytetarëve do të jepen këto doza vaksinash”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Për të organizuar procesin e pranimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së këtyre vaksinave Ministria e Shëndetësisë dhe Komiteti për Imunizim vazhdojnë të operojnë me një trup koordinues, nga i cili informojnë se janë duke përgatitur shtëpitë e shëndetit dhe personelin mjekësor për zbatimin të këtij procesi. Në Shkup vaksinimi anti kovid do të jepet në 6 pika, ndërkaq edhe në secilin qytet nga një pikë, ku edhe aktualisht po realizohet vaksinimi kundër gripit sezonal.