Speci djegës është një ndër ato ushqime që nuk mungon kurrë në tryezën e shqiptarëve, sidomos gjatë stinës së ftohtë. Mirëpo përtej shijes pikante, ai ka edhe një sërë funksionesh terapeutike, të cilat jo të gjithë i njohin. Shija e tij përvëluese ”i detyrohet” capsaicinës, një eznimë aktive që gjendet tek membrana qelizore e specit, një antioksidant i fuqishëm që sjell shumë dobi për shëndetin.
Lehtëson dhimbjet e migrenës: Nëpër farmaci shiten spray me përmbajtje të specit djegës të cilët mund të lehtësojnë dhimbjet e migrenës. Ata kanë një formulë të veçantë të kapsaicinës, një pjesë përbërëse e specit që mban farat. Gjatë testimit të këtij spray, rezultoi që 7 në 10 njerëz me dhimbje të forta të kokës patën lehtësime të dhimbjeve.
Pastron hundët e bllokuara: Ju janë bllokuar hundët dhe teshtini shpesh, por nga ana tjetër nuk jeni ftohur, nuk keni ndonjë alergji apo nuk pini duhan. Në gjuhën mjekësore kjo gjendje quhet rinit jo-alergjik. Nëse keni këto simptoma, atëherë aroma e specit të kuq djegës mund t’ju ndihmojë.
Përshpejton metabolizmin: Përshpejtimi i metabolizmit ndihmon në rënien në peshë. Kapsaicina, përbërësi pas kësaj erëze pikante, përshpjeton procesin e ngrohjes dhe djersitjes në trup. Ky përbërës aktivizon gjithashtu një sensor të neuronit, i quajtur TRPV1, që parandalon zhvillimin e dhjamit dhe kontrollon oreksin.
Lehtëson dhimbjet e artritit: Kapsaicina është një nga përbërësit kryesorë në shumë kremra, locione dhe produkte që përdoren për lehtësimin e dhimbjeve të shkaktuara nga artriti dhe fibromialgjia. Studime të tjera kanë treguar se kapsaicina funksionon më mirë nëse përdoret së bashku me ilaçe të tjera për lehtësimin e dhimbjeve.
Lufton kancerin: Testet laboratorike kanë treguar se kapsaicina mund të vrasë qelizat që lidhen me më shumë se 40 lloje kanceri, përfshirë kancerin e zorrës, mëlçisë, mushkërisë dhe pankreasit, si dhe leuceminë. Ky përbërës kimik ndryshon mënyrën e veprimit të gjeneve të lidhura me qelizat kancerogjene , duke parandaluar zhvillimin e tyre.
Forcon imunitetin: Specat djegës janë të pasur me një sërë lëndësh ushqyese të rëndësishme për trupin e njeriut. Ato janë të pasura në vitaminë C, A, B dhe E. Disa studime kanë treguar se kapsaicina vepron si një antioksidues që mbron qelizat dhe parandalon inflamacionin.