Zvicra pranoi dozat e para të vaksinës së koronavirusit sot, duke hapur rrugën për vaksinimin e popullatës në një kohë kur masat kufizuese hynë në fuqi për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve të reja.
Agjencia Rregullatore e Barnave Zvicerane miratoi vaksinën e Pfizer dhe BioNTech të shtunën. 107.000 dozat e para do të shpërndahen në kantone për të vaksinuar grupe me rrezik të lartë, duke përfshirë ato mbi 75-vjeç dhe ato me kushte para-ekzistuese mjekësore.
“Programi i vaksinimit mund të fillojë në shtatë ditët e ardhshme,” ka deklaruar zyrtarja e Agjencisë Federale të Shëndetit Virginie Masserey, raporton Reuters.
Ndryshe nga vaksinimet në Britani, zyrtarët zviceranë i mbajnë mediat larg dhënies së dozave të para në shtëpitë e pleqve.
“Maggie e Zvicrës është e panjohur”, raportoi gazeta Blick, duke iu referuar 90-vjeçares Margaret Keenan, e cila këtë muaj u bë personi i parë në botë që mori vaksinën Pfizer pas miratimit nga Londra zyrtare.
Vaksinimi i grupeve me rrezik të lartë në të gjithë Zvicrën do të fillojë në 4 janar.
Është planifikuar të merren 250 mijë doza në muaj dhe miratimi i vaksinave të tjera aktualisht në shqyrtim rrit shpresat se të gjithë ata që duan të vaksinohen do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë nga mesi i vitit 2021, sipas zyrtarëve shëndetësorë zviceranë.
Numri i rasteve në Zvicër ka tejkaluar 400.000, me 6.000 të vdekur, andaj qeveria javën e kaluar vendosi të mbyllë restorantet për një muaj dhe të ftojë banorët e saj të qëndrojnë në shtëpi.
Masa hyri në fuqi të martën dhe do të zgjasë për një muaj. Përveç restoranteve, qendrat sportive dhe rekreative janë mbyllur, njerëzit nxiten të mbajnë në minimum kontaktet shoqërore dhe të përmbahen nga udhëtimet e panevojshme.
Qeveria ka hezituar të vendosë rregulla të reja mbi numrin e njerëzve të lejuar në tubime private ose të vendosë masa më të rrepta të tilla si ora e ndalimit, duke aplikuar mbyllje të pjesshme të ngjashme si në muajt e parë të pandemisë.
Dyqanet mund të qëndrojnë ende të hapura, megjithëse me një numër të kufizuar të klientëve të lejuar.