Këshilli Sportiv i Agjencisë për Rini dhe Sport si organ më i lartë në këtë institucion tani ka një përfaqësues shqiptar më pak. Kjo pasi me vendimin e fundit, janë shkarkuar tre anëtarë shqiptarë dhe janë zëvendësuar me dy të tjerë. Për më tepër, dy prej të shkarkuarve janë profesorë universitarë, Hynor Kica në Universitetin e Tetovës dhe Blerim Sahiti në Universitetin Nënë Tereza. Ndërkaq, anëtari tjetër, Arlind Huseini është emëruar sërish në Këshill. Si zëvendësim për dy profesorët shqiptarë është caktuar Jasin Fetishi, shkruan in7.
Siç thonë burime të in7 brenda kësaj agjencie, zëvendësdrejtori i ri shqiptar, Avni Rustemi ka qënë i pafuqishëm përballë drejtorit Naumçe Mojsoski në zgjedhjen e përbërjes së re të Këshillit. Kjo për faktin se drejtori ia ka bërë me dije se nuk ka nevojë për më shumë se dy shqiptarë në këtë këshill.
Për të vërtetuar këto pretendime, tentuam të kontakojmë me Avni Rustemin, zëvendësdrejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport. Fatkeqësisht, Rustemi ishte i pakapshëm apo tepër i zënë për tu përgjigjur në thirrjen tonë. Rustemi është Kryetar i Forumit Rinor të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Njê shqetësim tjetër brenda Agjencisë është edhe përfaqësimi i shqiptarëve në administratë, ku të paktën dy vende pune ku ka pasur të punësuar shqiptarë janë liruar e nuk janë zëvendësuar ende.
Përndryshe, dy profesorët shqiptarë të shkarkuar nga Këshilli Sportiv u emëruan aty vetëm disa muaj më parë, ndërsa prezantimi i tyre u bë nga ish zëvendësdrejtori i kësaj agjencie, Izmit Nura, i cili tani është emëruar në detyrë të re tek Agjencia për Emigracion.