Vetëm edhe sonte qytetarët do të mund që kafenet dhe restorantet t’i frekuentojnë deri në orën 21:00. Nga nesër të gjitha objektet hotelierike, do të punojnë deri në orën 18:00. Kjo është pjesë e paketës së re të masave anti Covid, të cilat së fundmi i miratoi Qeveria. Veç saj, me masat e reja, ndalohet edhe organizimi dhe mbajtja e kremtimeve të festave të ardhshme të Vitit të Ri dhe festave fetare. Masat nuk lejojnë as organizimin e Viti të ri në hapësira të hapura dhe të mbyllura nga persona fizikë dhe juridikë. Kjo vlen edhe për institucionet publike, për shkak të të cilave komunat dhe të gjitha organizatat e krijuara nga vetëqeverisja lokale udhëzohen që përveç që ndalohet çdo tubim grupor dhe organizimi i festimeve me rastin e Vitit të Ri të ardhshëm dhe festave fetare, duhet të heqin dorë edhe nga festimet që eventualisht tashmë janë planifikuar. Masat e reja ndalojnë gjithashtu marrjen me qira të vilave dhe objekteve të tjera turistike për akomodim, për tubime në grupe dhe organizimin e festimeve me rastin e Vitit të Ri të ardhshëm dhe festave fetare. Mirëpo këtu nuk bëjnë pjesë nëse të gjithë personat që duan të marrin me qira vila janë të së njejtës familje.
Përndryshe, një ditë më parë u regjistruan 865 raste të reja, 641 pacientë u shëruan dhe 25 njerëz kanë vdekur. Ndërkaq, totalisht deri dje janë infektuar 75597 persona, janë shëruar 51493, 2197 kanë vdekur, ndërsa raste aktive janë 21910.
Një ditë më parë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, presidenti i vendit Stevo Pendarovski, si dhe punonjësit shëndetësorë gjithashtu dërguan mesazh për të qëndruar në shtëpi për pushime, ndërsa Qeveria filloi fushatë për kremtim të përgjegjshëm. Pakoja e re e masave restriktive do të jetë në fuqi deri më 20 janar.