Një grup prej 10 shkencëtarësh ndërkombëtarë do të udhëtojë në qytetin kinez të Wuhanit muajin e ardhshëm për të investiguar origjinën e Covid-19, sikurse ka bërë me dije OBSH.
Kina nuk e ka kundërshtuar një investigim të pavarur edhe pse OBSH ka qenë duke negociuar prej muajsh për të patur akses në këtë qytet. Deri më tani është thënë që virusi ka ardhur nga një treg i shitjes së kafshëve. Por kërkimi i burimit të infeksionit kishte çuar në tensione, veçanërisht nga administrata amerikane, ku vetë presidenti Trump e kishte akuzuar Kinën se ishte përpjekur të fshihte shpërthimin e parë të virusit.
Cili është qëllimi i investigimit?
Një biolog që është pjesë e skuadrës që do të udhëtojë në Wuhan, tha për agjencinë “Associated Press” se OBSH nuk është duke kërkuar faj, por më tepër kërkon të parandalojë shpërthime të tjera virale në të ardhmen. “Nuk është çështja të gjejmë një shtet fajtor. Është të kuptojmë se çfarë ndodhi dhe bazuar në këto të dhëna të përpiqemi të reduktojmë rrezikun në të ardhmen”, tha Fabian Leendertz nga Instituti gjerman Robert Koch. Dr Leendertz pohoi se qëllimi është të zbulohet se kur nisi qarkullimi i virusit dhe nëse ai e ka fillesën nga Wuhani. Ai tha se ky mision pritet të zgjasë 4-5 javë.