Rregullatori britanik për medikamente ka bërë thirrje për shmangie të vaksinës anti-covid të partnerëve Pfizer dhe BionTech, në rastet kur personat kanë një histori të gjerë të reaksioneve alergjike.
Një kërkesë e tillë ka ardhur pasi dy punonjës të shëndetësisë në Britani kanë shfaqur një reaksion alergjik nga marrja e medikamentit, në ditën e parë të fillimit të programit të vaksinimit masiv. Reagimi ndaj vaksinës ka qenë i menjëhershëm, megjithatë sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar dy anëtarët e stafit mjekësor janë duke e rimarrë veten.
Kompania Pfajzer, ashtu sikurse edhe Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar, ka bërë me dije se personat të cilët kanë një histori alergjie janë përjashtuar nga grupet që do të marrin vaksinën, pasi një rezultat i ngjashëm ka dalë edhe në fazat e vona të testimit të medikamentit.
Sipas ekspertëve, në 0.63 përqind të personave që kanë marrë vaksinën e prodhuar nga Pfajzer dhe BionTech, kanë pasur reaksion alergjik në fazat e testimit të medikamentit. Ky rezultat sipas analistëve nuk përbën kërcënim, si dhe nxjerrin në pah se situata është nën kontroll.
“Fakti që ne e morëm vesh kaq shpejt për këto dy reaksione alergjike dhe se Agjencia Rregullatore e Barnave në Britani ka reaguar në lidhje me këtë për të dhënë këshilla paraprake, tregon se sistemi i monitorimit është duke funksionuar”, Peter Openshaw.
Pas aprovimit emergjent të medikamentit në Mbretërinë E Bashkuar, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë me dije se efikasiteti i vaksinës anticovid të partnerëve Pfajzer dhe BionTech kanë plotësuar pritshmëritë për autorizim të menjëhershëm.