Programi Covax, pjesë e të cilës është edhe Maqedonia e Veriut parasheh gjithsej 833.000 doza të vaksinës kundër Covid-19 për 20 për qind të popullatës në vendin tonë, për shkak se vaksina duhet të jepet në dy doza, fillimisht do të vaksinohen vetëm 400 mijë persona.
Kryetarja e Komisionit për Imunizim, D-r Aleksandra Grozdanova thotë se të dozat e vaksinave do të vijnë në mënyrë graduale. Sipas saj dozat e para të vaksinës pritet të arrijnë në tremujorin e parë të vitit 2021, repsektivisht mes muajit janar-mars.
“Në 20 përqindëshin e parë, vaksinimi është planifikuar së pari për grupet e rrezikut siç janë punonjësit shëndetësorë, të sëmurët kronikë dhe personat e moshuar. Natyrisht më pas do të planifikohet furnizimi shtesë me vaksina për të gjithë popullatën”, tha D-r. Grozdanova.
Grozdanova thotë se Maqedonia e Veriut do të furnizohet me vaksinën e parë që do të merr aprovimin për përdorim të vaksinës kundër Covid-19.
“Aktualisht, këto vaksina po jepen në dy doza, që do të thotë se kemi një efekt mbrojtës të konfirmuar prej vetëm gjashtë muajsh, por pritet që këto vaksina të zhvillohen për aplikim në një dozë dhe që do të sigurojë mbrojtje për një vit”, shpjegon D-r. Grozdanova për SDK.
Profesoresha pranë Fakultetin të Farmacisë në Shkup paralajmëron se vendi por edhe e gjithë bota do të përballen me sfidat logjistike për transportin, deponimin dhe shpërndarjen e vaksinës.
“Të gjitha vendet në botë, përfshi edhe vendin tonë do të përballen me sfidën e vaksinimit të shpejtë dhe masiv. Kjo është arsyeja pse ne tashmë kemi filluar me analizën e kapaciteteve që kemi në dispozicion, si nga mënyra teknike ashtu edhe nga mënyra humane, që të kemi një pasqyrë se ku dhe në çfarë mënyre do të duhet të ndërhyjmë. Unë besoj se me një organizim të duhur ne do të jemi në gjendje të përgjigjemi dhe të përgatitemi në kohë për këtë aktivitet tejet serioz”tha D-r. Grozdanova.
Ndryshe, aktualisht kompanitë “Pfizer”, “Moderna”, dhe “AstraZeneka” janë në fazën përfundimtare, gjegjësisht po presin miratimin për përdorim të vaksinës.