Të dashur Struganë, të dashur bashkëkombas.
Më lejoni që nga zemra t’ju uroj festën më të madhe dhe më të shenjtë të kombit shqiptar, Ditën e Pavarësisë së shtetit Shqiptar , apo siç njihet ndryshe nga të gjithë shqiptarët anë e mbanë si Festa e Flamurit.
Që të festojmë këtë ditë kaq të madhe, është dashur shumë sakrificë dhe përpjekje e jashtëzakonshme intelektuale nga të parët tanë, nga ata që sot njihen si themeluesit e shtetit modern shqiptar, nga ata që ia falën të gjithë jetën kauzës kombëtare mbi shtetformimin e R.së Shqipërisë si shtet sovran dhe i pavarur.
Ismail Qemali në këtë rrugëtim nuk ishte i vetëm, ai përkrah kishte plotë patriot, kishte edhe penën por edhe pushkën, edhe zemrën por edhe trurin. E me këtë bashkërisht me të gjithë atë enturazh politiko-ushtarak, bëri që më 28 Nëntor tē vitit 1912 të shpalli pavarësinë e Shqipërisë në Vlorën e bekuar.
Me këtë kuptojmë se të gjitha proceset e vështira nuk nisen vetëm, por nisen si një organizim i shumë segmenteve tê jetës ku bëjmë pjesë të gjithë, sepse përveç zemrës dhe trurit duhet edhe shpirti i një kombi të tërë për të arritur në destinacionin e dëshiruar dhe të përmbyllen misionet e vështira. E këtë më së miri e din populli shqiptar.
Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë dhe e paçim përgjithmon Shqipërinë e lirë dhe sovrane.