Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut pak më ndryshe do të shënojnë këtë 28 Nëntor. Për nesër në ora 14 e 30 minuta është caktuar një protestë ku do të kërkohet që flamuri kombëtar shqiptar në Maqedoninë e Veriut të përdoret në të njëjtin rang me flamurin maqedonas, e jo siç parashihet tani, të jetë tre herë më i vogël.
“Kërkojmë që të ndryshojë ligji dhe flamuri shqiptar dhe ai maqedonas të kenë të një status. Zgjidhja e tanishme ligjore që parasheh përdorim të kufizuar zyrtar dhe me dimenzione trefish më të voglas se flamuri maqedonas është nënçmues për flamurin e shqiptarëve”, thotë për Gazetën Lajm Blerim Ahmedi, një nga organizatorët e protestës.
Sipas tij, protesta do të fillojë në ora 14 e 30 minuta para Qeverisë.
“Për protestën janë njoftuar organet përkatëse, si dhe përfaqësues të faktorit ndërkombëtar në Shkup, të cilët do të monitorojnë protestën”, thekson Ahmedi.
Ai shpreh keqardhje që ende shqiptarët e Maqedonisë në vend të festës, më 28 Nëntor duhet të protestojnë dhe për këtë akuzon politikanët e paaftë shqiptar që me vite janë në pushtet.
Protesta do të zhvillohet duke respektuar distancën dhe protokollet tjera të nevojshme në kohë pandemie.
Në protestë poashtu do të kërkohet që për gjuhën shqipe në ligj të mos përdoret më termi “gjuha 20 për qind”.