Bashkimi Europian ka komunikuar se vaksinimet e para anticovid për qytetarët europianë do të nisin në fund të këtij viti. Ky lajm vjen pasi është nënshkruar kontrata e gjashtë për blerjen e 160 milionë dozave nga kompania Moderna. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, këshillon vendet anëtare të fillojnë përgatitjet për zbatimin e planit të shpërndarjes së dozave.
“Qytetarët e parë europianë kanë mundësi të vaksinohen përpara mbarimit të dhjetorit, pra më në fund ka dritë në fund të tunelit. Po, ashtu si kam thënë vaksinat janë të rëndësishme, por ajo çka vlen është vaksinimi. Vendet anëtare duhet të përgatiten, pasi ne jemi duke diskutuar për miliona shiringa, për organizimin e qendrave të vaksinimit dhe për një personel të stërvitur. Të gjitha këto duhen përgatitur”, tha Presidentja e KE-së.
Një lajm i tillë shton shpresat dhe mundësitë e parandalimit të mëtejshëm të pandemisë së COVID-19 përgjatë vitit 2021.