
Tetova mban rekordin botëror për ndotjen e ajrit. Baza globale e të dhënave “Numbeo” ka renditur Tetovën në vendin e parë në botë, si qytet ku banorët thithin ajrin më të ndotur. Indeksi i ndotjes në Tetovë është 96.47, afër ndotjes së ajrit në kryeqytetet e Nepalit, Katmandu dhe Kabulit në Afganistan.
Komuna e Tetovës pretendon se bëjnë më të mirën për ajër më të pastër. Pohojnë se kanë intensifikuar inspektimet, veçanërisht në uzinat e industrisë së drurit, auto- mekanikët dhe stacionet e kontrollit teknik. Ndërkohë, sot kryetari i Shkupit, i cili është njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, njoftoi marrëveshjen ndër-komunale për inspektime të përbashkëta në kryeqytet. Por nënshkrimi u shty për javën e ardhshme. Inspektorët në komunat e Shkupit duhej të lokalizonin ndërtesat e paligjshme dhe ndotësit që nga tetori, por në fund mbeti që inspektorët të operojnë vetëm në degën e ekologjisë.