Vaksinë edhe për vendet e varfra

Ekonomitë më të avancuara të botës e kanë përmbyllur samitin virtual të G20 me bindjen se do të mobilizohen për të adresuar pasojat e pandemisë globale të koronavirusit.

Zotimin e tyre, liderët e G20-ës e hodhën të dielën në letër bashkë me planet për të shpejtuar rritjen ekonomike, daljen nga recesioni dhe mbrojtjen e ekonomive më të goditura nga virusi.

Rikthimi si më parë, sipas tyre, do kërkojë patjetër imunizimin e popullatave të tëra, por palët nuk po bien dakord si mund ta financojnë deficitin prej 4 miliardë e gjysmë dollarë për vaksinat, në mënyrë që ato t’u shpërndahen të gjithë pa dallim.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shprehu shqetësimin se shumicën e dozave po e porositin vendet e pasura të BE-së apo Amerika, ndërsa më të varfrat nuk i kanë mundësitë financiare.

“Jemi të shqetësuar që nuk po avancohet në këtë pikë. Duhet të fillojmë negociatat me prodhuesit e vaksinave duke përdorur fondet që kemi. Gjermania nuk i përballon dot e vetme.”

Agjencia europiane për medikamentet se mund ta miratojë vaksinën e parë antikovid brenda dhjetorit ose fillimin e vitit të ardhshëm.

Drita jeshile pritet t’u jepet dy prodhimeve amerikane dhe gjermane që kanë rezultuar deri 95 për qind efikase ndaj virusit të ri korona.

Universiteti i Oksfordit dhe kompania suedezo-britanike, AstroZeneca, informoi të hënën se edhe vaksina e tyre ofron nga 70 deri 90 për qind mbrojtje për të infektuarit kundrejt një çmimi më të ulët prej më pak se 3 euro për dozë.

Skepticizmi ndaj këtyre vaksinave, megjithatë, mbetet i lartë në vendet europiane, siç e tregoi të dielën marshi në heshtje i disa qindra qytetarëve gjermanë që refuzojnë fushatat e vaksinimit.