Ç’do të thotë Gjendja e Krizës?

Ç’do të thotë gjendja e krizës

Gjendja e krizës është gjendje e shkaktuar nga rreziqet të cilat mund t’i rrezikojnë të mirat, shëndetin dhe jetën e njerëzve dhe kafshëve dhe sigurinë e shtetit, për preventivë apo përballje të së cilës nevojitet përdorimi i një vëllimi më të madh të resurseve. Kështu, sipas Ligjit për menaxhim me kriza është definuar gjendja e krizës, e cila prej sot vendoset në mbarë territorin e shtetit tonë në kohëzgjatje prej 30 ditëve, për shkak të gjendjes me koronavirusin, ndërkaq me propozim të Këshillit të sigurisë.

Vendimi i gjendjes së krizës nuk mund të zgjatë më shumë se 30 ditë, ndërkaq nëse ka nevojë të tejkalohet kjo periudhë, përkatësisht gjendja të zgjatë më shumë, Qeveria duhet të kërkojë miratim nga Kuvendi për vazhdim të afatit apo të propozojë shpallje të gjendjes së luftës apo të jashtëzakonshme. Kuvendi dhe presidenti i vendit në çdo kohë mund të kërkojnë raport me gojë apo me shkrim për gjendjen në sferën e menaxhimit me kriza.

Ligji i mundëson Qeverisë të sjellë vendim për përdorim të resurseve të organeve të administratës shtetërore, organeve të komunave dhe të Qytetit të Shkupit, si dhe për menaxhim me to në rast të gjendjes së krizës. Përdorimi i resurseve për realizim të aktiviteteve duhet të jetë proporcional sipas natyrës dhe intensitetit të gjendjes së krizës, i matur sipas karakterit të krizës dhe serioz sipas fuqisë dhe vëllimit të krizës.

Në rast të gjendjes së krizës mund të përdoren edhe resurset e ndërmarrjeve publike, institucionet dhe shërbimet, si dhe të shoqatave tregtare të cilat janë me rëndësi të posaçme për punë në gjendje krize, në pajtim me ligjin. Pas kërkesës së Qeverisë, në bazë të marrëveshje të arritur me Qendrën apo
vullnetarisht, mund të përdoren edhe resurset e qytetarëve dhe personave të tjerë juridik.

Ligji parasheh se me një pjesë të forcave të veta mund të marrë pjesë edhe Armata në mbështetje të policisë në kushte kur me gjendjen e krizës rrezikohet siguria e vendit, ndërsa organet e administratës shtetërore nuk kanë resurse adekuate dhe mjete për parandalimin dhe përballjen me të. Propozim në Qeveri për nevojë për pjesëmarrje të një pjese të Armatës, në pajtim me Kontrollin strategjik mbrojtës jep Komiteti menaxhues. Presidenti në çdo kohë mund ta rivlerësojë nevojën për pjesëmarrje të një pjese të Armatës. Mënyra e pjesëmarrjes së një pjese të Armatës në gjendje krize rregullohet me rregullën të cilën e sjellë presidenti.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komandanti suprem i Forcave të armatosura, Stevo Pendarovski, para dy javësh, në kushte kur nuk ishte shpallur gjendje e krizës, e jashtëzakonshme apo e luftës, e urdhëroi Armatën që një pjesë të forcave dhe mjeteve t’i angazhojë si forca të paarmatosura për kryerjen e detyrave për mbështetje të institucioneve shtetërore gjatë përballjes me pasojat nga pandemia e koronavirusit.

Me urdhrin, i cili hyri në fuqi menjëherë, një pjesë e resurseve dhe mjeteve të Armatës u angazhuan si forca të paarmatosura në kryerjen e detyrave për mbështetje të institucioneve të shtetit gjatë përballjes me pasojat nga pandemia e Kovid-19, përkatësisht u angazhuan forca dhe mjete për mbështetje mjekësore të punës së institucioneve shëndetësore dhe qendrave të Ministrisë së Shëndetësisë, transportit të mjeteve dhe pajisjeve mbrojtëse dhe mjekësore.

Kjo gjendje e krizës është e para deri më tani e cila është shpallur në tërë territorin e shtetit. Paraprakisht, presidenti Pendarovski, nga marsi deri më qershor, solli vendime për pesë gjendje të jashtëzakonshme.