Tkurrja e kapaciteteve, Moska kthen pistën e akullit në spital COVID

Përkeqësimi i situatës së pandemisë në Rusi ka bërë që autoritetet vendase të kthejnë, qendrën më të madhe të sporteve dimërore në Moskë në spital për trajtimin e pacientëve me koronavirus.

Pallati i Akullit Krylatskoe, i njohur për mbajtjen e garave ndërkombëtare të patinazhit të shpejtë, tani është në vijën e parë të frontit pasi u shndërrua në një spital të përkohshëm për pacientët COVID-19., raporton Reuters.

Andrei Shkoda, mjeku përgjegjës i spitalit ka thënë se Qeveria ruse ka investuar në pajisje digjitale, që mjekëve të mos u mungojnë pajisjet dhe aparaturat e nevojshme.

Megjithëse ka burime më të mira se rajonet e tjera, autoritetet në Moskë janë nën presion të fortë. Ata raportuan të hënën 6,360 infeksione të reja në kryeqytetin rus. Më shumë se 1.300 shtretër spitalorë të pajisur me depozita oksigjeni mbulojnë pistën 400 metra të patinazhit.

Rusia po përballet me valën e dytë të COVID-19, pasi janë regjistruar më shumë se 22 mijë raste të reja me koronavirus brenda një dite.

Mjekët kanë ngritur alarmin se vendi mund të ngelet pa burime të mjaftueshme për të gjithë pacientët e shtruar./ Opinion.al