Buxheti 2021, 10 milion euro më pak për shëndetësinë

Propozim- buxheti për vitin 2021 ka hyrë në procedurë parlamentare. Në këtë buxhet është paraparë që Ministria e Shëndetësisë, pandeminë për vitin e ardhshëm ta menaxhojë me buxhet të reduktuar prej 10 milion eurove, krahasuar me këtë vit gjegjësisht do t’i ketë në dispozicion 110.2 milion euro. Prioritetet kryesore janë ndërtimi i qendrave të reja klinike në Shkup dhe Shtip si dhe rindërtimi i spitalit të përgjithshëm në Kërçovë. Edhe pse me buxhet të reduktuar, Ministria thotë se ka siguruar para për të luftuar virusin Covid 19.

Ministria e shëndetësisë

“Reduktimi i shumave është për shkak të zvogëlimit të mjeteve nga llogaria e kredisë për ndërtimin e një qendre klinike në Shkup. Me rishikimin, parashihen mjete shtesë për pagesën e këstit të parë për furnizimin e vaksinës kundër koronavirusit. Fonde shtesë janë dhënë për furnizim të ilaçit Remdesivir, për pacientët me koronavirus”

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nga viti i ardhshëm do ta ketë buxhetin më të madh. Planifikohet ndërtimi i objekteve për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe para për të inkurajuar punësimin. Ministria e brendshme me një pjesë të buxhetit planifikon të rindërtojë stacionet e policisë dhe vendkalimet kufitare, ndërsa Ministria e mbrojtjes do të ndajë 44 milion euro për integrimin në NATO.

Vitin tjetër, Ministria e Arsimit ka në plan të ndërtojë 145 salla sportive në shkollat fillore, por edhe ndërtimin e shkollave të reja fillore dhe të mesme. Sipas buxhetit të Ministrisë së Transportit, është planifikuar mbështetje financiare për komunat në vend, por edhe janë siguruar para për ndërtimin e hekurudhës për në Bullgari, e cila është premtuar për disa dekada. Ekspertët ekonomikë për momentin nuk kanë koment për atë nëse buxheti i vitit të ardhshëm është planifikuar siç duhet.