Grubi: Mjekët dhe infermierët janë heronjtë tanë të përditshëm

Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Komuniteteve, Artan Grubi i falënderoi sot punonjësit shëndetësorë për përpjekjet e tyre për të luftuar pandeminë me Kovid-19, duke theksuar se ata janë heronjtë tanë të përditshëm.

Grubi së bashku me ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe vizituan sot Spitalin e përgjithshëm të Gostivarit.

“U them infermierëve dhe mjekëve dhe gjithë stafit se dje festuam heroizmin e futbollistëve dhe ishte një ditë kushtuar atyre sepse u gëzuam së bashku, por në fakt heronjtë tanë të përditshëm janë ata, të cilët në të vërtetë çdo ditë luftojnë me pasojat e pandemisë dhe janë heronjtë tanë të vërtetë dhe të përditshëm, kështu që i uroj, i falënderoj të gjithë për të gjithë kontributin e tyre. Urime për departamentin e ri dhe shpresoj që qytetarët të jenë të kënaqur me shërbimin”, tha Grubi.