Ministri Besimi zyrtarisht ia dorëzoi Propozim-buxhetin për vitin 2021, kryetarit të Kuvendit

Ministri i financave Fatmir Besimi sot e dorëzoi Propozim-buxhetin për vitin 2021 kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi dhe në këtë mënyrë simbolikisht u shënua hyrja e Propozim-buxhetit në organin më të lartë legjislativ. Propozim-buxheti për vitin 2021 i paraqitet Parlamentit në kohë, madje edhe më herët se afati i parashikuar me procesin e buxhetit.

Ministri i financave Besimi në takim theksoi se në drejtim të pavarësisë së buxhetit të Kuvendit – propozimi i paraqitur nga Kuvendi është përfshirë në Propozim-buxhetin për vitin 2021, siç është dhënë nga organi legjislativ pa asnjë ndërhyrje.

Besimi theksoi se me buxhetin për vitin 2021 bëhen ndryshime sistematike që do të hedhin bazat për një veprim më strategjik, afatgjatë dhe më transparent të financave publike në të ardhmen, më saktësisht me financat SMART. Ky buxhet vendos një koncept të ri të planifikimit afatmesëm – më saktësisht një kornizë 5-vjeçare për projektet kapitale, rritjen dhe deficitin. Me këtë do të forcohen kapacitetet për planifikim, por edhe për realizimin e synimeve. Do të krijohen gjithashtu mekanizma për të matur ndikimin e projekteve në ekonomi, si dhe një sistem shpërblim dhe ndëshkim për ata që performojnë mirë dhe për ata që dështojnë.

Propozim-buxheti për 2021 parashikon fonde për ballafaqim me krizën-Covid. Ka tre qëllime – përkrahje për shëndetësinë, përkrahje për ekonominë dhe reforma sistematike në gjyqësor dhe integrime euro-atlantike. Kjo do të arrihet përmes strategjisë për rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjes së përshpejtuar (e cila përmban katër shtylla – 1. Ballafaqimi me krizën Covid, 2. rritje e qëndrueshme dhe e gjelbër, 3. konkurrencë në sektorin privat dhe 4. kapital njerëzor), si dhe politika fiskale konsolidimi në periudhën afatmesme.

Ministri theksoi se pret një debat demokratik në Parlament për Propozim-buxhetin, një diskutim që do të jetë konstruktiv dhe do të ofrojë zgjidhje dhe veprim optimal. Besimi theksoi se në një kohë kur e gjithë bota dhe ekonomia globale po përballen me një nga krizat më të mëdha, nevojiten vendime dhe zgjidhje që do të vendosin shëndetin e qytetarëve, por edhe ekonominë në vend të parë. Ai shtoi se kjo është një kohë kur është jashtëzakonisht e rëndësishme të ndjekim me kujdes atë që po ndodh, të jemi të shkathët – të veprojmë shpejtë, por edhe të mendojmë në mënyrë strategjike në planin afatgjatë.