Sistemi i funksionimit të çerdheve dhe shkollave do të mbetet i tillë deri në përmirësimin e situatës. Ky është qëndrimi i ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe pavarësisht deklaratave të ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska e cila deklaroi se në çerdhe dhe shkolla nuk ka transmision virusi. Filipçe thotë se vendi po ndjek praktikat ndërkombëtare dhe rekomandimet e OBSH-së se dhe një vendim tjetër do të ketë pas përmirësimit të pasqyrës epidemiologjike.
Ka shumë pak raste të cilat e sjellin virusin nga jashtë. Praktikat ndërkombëtare tregojnë se pak fëmijë sëmurën dhe për këtë arsye ishte edhe rekomandimi i tillë, të hapen çerdhet dhe në pjesë e shkollave -tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Në një linjë me ministrin Filipçe është edhe Ministria e Arsimit. Nga ky dikaster thonë se për momentin nuk planifikohet ndryshimi i modelit edukativo-arsimor.
Shkollat do të vazhdojnë të punojnë sipas protokollit i cili ka rezultuar me sukses. Deri tani nuk ka transmision të virusit në shkollat që punojnë me prezencë fizike, përkatësisht është më pak se 1 për qind numri i nxënësve dhe mësimdhënësve – thonë nga Ministria e Arsimit.
Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme konsideron se për momentin situata është alarmante dhe në bazë të konsultimeve me autoritetet shëndetësore, kthimi i nxënësve me prezencë fizike në shkolla presin ta ndodh në fillim të gjysmëvjetorit të dytë.
Momentalisht gjendja epidemiologjike ka dal krejtësisht nga kontrolli dhe nuk po menaxhohet mirë me çka na bën të pamundur që kërkesat për mësim me model të kombinuar t’i adresojmë institucioneve arsimore për shkak të rrezikut të madh që momentalisht e kemi si vend me 1300-400 raste në ditë – deklaroi Blendi Hodai, Unioni i Nxënësve.
Ditë më parë, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska deklaroi se deri tani, në bazë të analizave është konstatuar se virusi nuk është transmetuar në mes fëmijëve në çerdhe dhe nxënësve në shkolla, por infektimi ka ardhur nga jashtë. Në të njëjtin qëndrim ishte edhe drejtoresha e Inspektoratit Shëndetësor Sanitar, Irina Sotirova Buhova e cila deklaroi se nga 1.000 kontrollet e kryera deri tani, nuk është regjistruar transmision virusi brenda çerdheve dhe shkollave.