Jakup Krasniqi, Prokurorit të Specializuar: Ndërmarrja e përbashkët kriminale është në Serbi – kokat e saj në Beograd

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi e ka quajtur padrejtësi trajtimin që iu bë atij dhe bashkëluftëtarëve nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Derisa iu është referuar pikës së akuzës ku prokurori i cilëson ‘’ndërmarrje kriminale’’, Jakup Krasniqi ka thënë se ndërmarrja kriminale gjendet në Beograd, njofton Klan Kosova.

”Cilësimi i prokurorit se ne jemi ”ndërmarrje kriminale e përbashkët”, për mua, shokët e mi e familjen time që luftuam gjatë për kombin tonë nuk ka diçka më fyese”.

”Pasi ne në një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira u vum në shërbim të lirë, të cilat i arritëm në bashkëveprim me SHBA me vendet e BE-së, NATO-n, OKB-në dhe të gjithë së bashku ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtet-formuese”.

”Ndërmarrja e përbashkët kriminale, janë në Serbi. Kokat e saj në Beograd dhe mbështetësit e politikave të Beogradit”.

”Besoj shumë që këtë e din secili qytetar i arsimuar që së paku është mbi 30 vjeçar e jeton në vendet e demokracive perëndimore, aty ku jam rritur e edukuar me vlerat e kësaj bote që veçohet me vlerat që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e njeriut”.

Tutje njëherit ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi para panelit gjyqësor në Dhomat e Specializuara u shpreh se shkaktar kryesor për këtë zhvillim të aktakuzave, është politika e Beogradit.

”Nuk dua të zgjatëm më shumë por dua t’ju them që kam qenë i dënuar nga regjimet kriminale të Jugosllavisë”.

”Më 1981 -1982 ata më kanë pas dënuar pse kam lexuar libra, pse kam fol dhe pse e kam kundërshtuar atë regjim. Për mua është bërë një padrejtësi e madhe dhe dot ta mbajë edhe këtë padrejtësi se njeriu është më i fortë se guri. Dhe atë që se duron guri e mban njeriu”.

”Unë dhe populli im ka mbajt shumë padrejtësi dhe nuk kemi pasur nevojë për këtë padrejtësi. Adresa e qartë e krejt kësaj maskarade është në Beograd dhe tek mbështetësit e politikave kudo qofshin ato”.