Drejtoria për të ardhura publike i parashtroi urdhëresat për kthim të TVSH-së për qytetarët nga masa Fundjavë pa TVSH, ndërsa pagesa do të bëhet prej nesër.
Në llogaritë e atyre që skanojnë fatura fiskale dhe bënë qarkullim gjatë Fundjavës pa TVSH do të derdhen mbi 66 milionë denarë.
Nga Drejtoria për të ardhura publike për MIA-n informojnë se paratë e qytetarëve do të kthehen për dy ditë, përkatësisht kthimin e TVSH-së do ta marrin në llogaritë e tyre nesër apo pasnesër.
Masa Fundjavë pa TVSH është pjesë e pakos së katërt të masave antikrizë të cilat janë në vlerë të 470 milionë eurove, ndërsa qëllimi të kontribuohet për ulje të efekteve nga kriza e koronës dhe të mbështeten qytetarët dhe ekonomia. U realizua më 10, 11 dhe 12 tetor të vitit 2020 dhe parashihte kthim të tërë shumës së TVSH-së së paguar për prodhime dhe shërbime vendore, si dhe pajisje kompjuterike.
Gjatë tre ditëve, 204 088 qytetarë blenë prodhime vendore apo shërbime dhe pajisje kompjuterike dhe u skanuan tre herë më shumë fatura fiskale, ndërsa qarkullimi i realizuar ishte për 9,5 herë më i madh në raport me fundjavën e njejtë të vitit të kaluar.
Në Fundjavën pa TVSH është realizuar qarkullim prej 558.176.715 denarëve me çka qytetarët do të realizojnë kthim të TVSH-së në shumë prej 66.853.929 denarëve.
Në Fundjavën pa TVSH u skanuan tre herë më shumë fatura fiskale dhe u realizua 9,5 herë qarkullim më i madh në prodhime vendore në krahasim me fundjavën e njejtë të vitit të kaluar.
Pas pagesës së kthimit nga Fundjava pa TVSH, Drejtoria për të ardhura publike do ta fillojë përpunimin e urdhëresave për kthim të TVSH-së për tremujorin e tretë, pas çka do të fillojë edhe pagesa e atyre mjeteve për qytetarët.
Në bazë të kësaj, tek llogaritë e qytetarëve do të zhvendosen pothuajse 430 milionë denarë.
Gjatë tremujorit të tretë, përkatësisht në muajt korrik, gusht dhe shtator 2020, sipas të dhënave të Drejtorisë për të ardhura publike, është realizuar qarkullim prej 29,8 miliardë denarëve, prej të cilave qarkullimi në prodhime vendore paraqet 7,8 miliardë denarë, ndërsa qarkullimi nga prodhimet e tjera është 21,9 miliardë denarë. Qytetarëve për këtë tremujor do t’u kthehen, përkatësisht paguhen rreth 430 milionë denarë, si pjesë e TVSH-së që e realizuan qytetarët nga fatura të skanuara fiskale në korrik, gusht dhe shtator të këtij viti.
Përmes shërbimit TVSH-ja Ime, për faturat e skanuara fiskale qytetarëve do t’u bëhet kthimi prej 20 për qind për TVSH-në e paguar për prodhime dhe shërbime vendore, ndërsa 10 për qind për të mirat dhe shërbimet e tjera.
Nga DAP-i theksojnë se tregtarët dhe ofruesit e shërbimeve janë të obliguar t’i shënojnë/ndajnë në mënyrë të rregullt të mirat dhe shërbimet vendore nga të mirat dhe shërbimet e tjera në aparatet fiskale, ndërsa fatura e dhënë fiskale detyrimisht ta tregojë qarkullimin nga të gjitha prodhimet dhe shërbimet vendore.
“Vetëm përmes qarkullimit të treguar në mënyrë të drejtë nga prodhimet dhe shërbimet vendore, qytetarët mund të realizojnë të drejtë më të madhe të kthimit të një pjese të tatimit të vlerës së shtuar përkatësisht 20 për qind. Skanimi i faturave fiskale do të thotë para tek qytetarët, do të thotë dhënie të faturave fiskale për çdo prodhim të blerë, di të thotë formalizim të ekonomisë joformale (gri). Drejtoria për të ardhura publike është partnere me kompanitë dhe me qytetarët, dhe bashkarisht lufton kundër të gjithëve të cilët nuk i respektojnë rregullat tatimore në shtet”, theksojnë nga DAP-i.
Aplikacionin TVSH-ja Ime mund ta shfrytëzon secili qytetar me 15 vite të mbushura dhe i cili është i regjistruar në sistemin elektronik në Drejtorinë për të ardhura publike.