Gazetar: Emir Hamzai
Akti i fundit terrorist në Vjenë ishte kryelajmi që ka përshkuar medien në botë, por më së shumti atë shqiptare. Opinioni publik shqiptar në Maqedoni është përfshirë më së shumti në këtë debat, pasi sulmuesi i katër të vrarëve në Austri është shqiptar nga Maqedonia e Veriut, gjegjësisht nga një fshat i Tetovës.
Albanews24 ka kontaktuar filozof, teolog, psikolog, ekspert për çështje të sigurisë për të marrë përgjigje se ku është origjina e terrorizmit, si i gjykon feja Islame aktet terroriste, pse disa individë vendosin të shkëputen nga shoqëria dhe fillojnë një karrierë drejt terrorizmit? A ka ndonjë personalitet apo profil të saktë psikologjik terroristi? Cilët janë faktorët psikologjikë që çojnë në akte të terrorizmit? Çfarë ka bërë Bashkësia Fetare
Islame në Maqedoni deri më tani për të parandaluar rritjen e këtyre mendësive që janë të devijuara dhe nuk u përkasin mësimeve të pastërta islame!
KU ËSHTË ORIGJINA E TERRORIZMIT
Sipas filozofit, Sead Zimeri, terrorizmi nuk ka origjinë të përveçme dhe se motivet e saj dallojnë. Jo domosdoshmërisht të krijohet lidhje ndërmjet terrorizmit dhe padrejtësive apo dhunës që ushtrohet nga viktimat e terrorizmit. Krejt çka mund të thuhet është që ekzistojnë terrorizma, por nuk ka terrorizëm.
”Terrorizmi si taktikë e frikës dhe frikësimit nuk ka një origjinë të vetme, pasi që është paraqitur gjithandej. Morivet e terrorizimit dallojnë, megjithatë, pasiqë përdoret për të ndryshuar ndonjë situatë të padëshirueshme për terroristët. Nuk është e domosdoshme që situata që kërkohet të ndryshohet të jetë ndonjë situatë ku mbretëron frika, një gjendje dhune dhe padrejtësie ndaj terroristëve. Terrorizmi i Breivikut në Norvegji ishte i nxitur nga një përceptim i tillë që vështirë mund të arsyetohet apo bazohet në ndonjë padrejtësi të madhe kundër llojit të tij. Por fantazmat dhe urrejtja që ato ndjellin janë po aq me efekt, në mos më shumë, sa edhe situatat reale ku padrejtësitë ndodhin. Prandaj duhet pasur kujdes që të mos krijohet lidhje e domosdoshme mes terrorizmit dhe padrejtësive apo dhunës që ushtrohet nga viktimat e terrorizmit. Dikush ushtron terrorizëm për ta dominuar tjetrin, për ta kolonizuar apo nënshtruar atë. Të tjerët, e në këtë rast ndoshta shumica e rasteve terroriste, e ushtrojnë për të dëbuar ndonjë dhunë a padrejtësi, për ta detyruar atë që sundon të ndryshojë politikën e tij. Pra është gabim të kërkohet origjina e terrorizmit si e tillë, sepse krejt çka mund të thuhet është që ekzistojnë terrorizma, por nuk ka terrorizëm”, deklarohet Zimeri për Albanews24.
Ai shton se këto nuk janë manifestime të ndonjë kredoje universale terroriste, por taktika, strategji dhe gjykime politike dhe morale që synojnë arritjen e ndonjë qëllimi duke shkaktuar frikë.
SI I GJYKON TEOLOGJIA AKTET TERRORISTE DHE KU BAZOHEN TERRORISTËT PËR VEPRIME TË TILLA
Ai që i jep vetes të drejtë ta interpretojë Islamin sipas dëshirës së tij, nuk ka të drejtë që ta akuzojë një ekstremist dhe radikal për ndonjë interpretim të caktuar të teksteve, sepse janë të barabartë në shkeljen e metodologjisë Islame në kuptimin e teksteve, edhe pse ndoshta nuk janë të njëjtë në rezultatin apo përfundimin nga qasja e gabuar e secilit prej tyre ndaj këtyre teksteve. Qëndrimi i autoriteteve akademike islame, dijetarëve, hoxhallarëve dhe imamëve gjithmonë ka qenë i qartë lidhur me vrasjen e njerëzve të pafajshëm dhe veprimeve kriminele që bëhen në emër të fesë, andaj çdo përpjekje për t’ia përshkruar Islamit ndonjë akt të tillë është vepër tendencioze prej së cilës në përgjithësi priten përfitime politike. Skenar i cili përsëritet kohëve të fundit shumë, por prej së cilit përfitohet akoma më shumë në sferën politike, shoqërore dhe ekonomike, kështu shprehet teologu Ali Ashani nga Tetova.
”Themi që një vepër të jetë legjitime në Islam ajo duhet të kaloj nëpër disa filtra dhe kritere, por prej kritereve më të rëndësishme është që vepra të ndërtohet mbi dy shtylla; E para: që vepra të bëhet me qëllim të mirë. E dyta: që vepra të jetë në përputhshmëri me normat fetare. Çdo herë që në një veprim mungon një prej këtyre dy shtyllave, ajo vepër nuk është legjitime në aspektin fetar, andaj është krim dhe padrejtësi që ajo t’i përshkruhet Islamit, ashtu siç bëhet sot, për këtë sot p.sh. kemi terrorizëm islamik, radikalizëm islamik, madje edhe versioni më i ri që u përdor ditëve të kaluara, është fashizmi islamik. Disa të rinj në kohën e Profetit – paqja e Allahut qoftë mbi të, dëshiruan të bëjnë diçka me të cilën do të veçoheshin nga të tjerët dhe sipas tyre do të arrinin kënaqësinë e Allahut, andaj njëri prej tyre tha: Unë do të agjëroj agjërim vullnetar çdo ditë; tjetri tha: Unë nuk do të martohem asnjëherë, do të bëj vetëm ibadet/adhurim dhe i fundit tha: Unë do të falem çdo natë, tërë natën. Kur profeti (paqja e Allahut qoftë mbi të) i dëgjoi këto fjalë, të cilat sipërfaqësisht mund të duken se janë me qëllim të mirë, tha në mënyrë të prerë dhe i mllefosur: “Kush largohet nga tradita (praktika) ime nuk është prej meje.” (Buhari dhe Muslim). Kjo deklaratë e pejgamberit është tepër kërcënuese, por njëkohësisht është kriter i qartë për çdo mysliman dhe jomysliman, se nëse një mysliman vepron një vepër, domosdoshmërisht vepra e tij nuk bëhet islame, përkundrazi mund të jetë vepër me të cilën ai do të fiton hidhërimin e Allahut, ashtu siç ishte në hadithin e mëparshëm”, thekson Ashani.
Sipas tij me rëndësi është që shoqëria të kthehet te interpretimet e teksteve të Kuranit dhe Sunetit tek njerëzit që janë kompetentë, të cilët i kuptojnë këto tekste sipas një metodologjie të qartë, e cila është përcjellë në mënyrë akademike prej gjenerate në gjeneratë.
A KA PERSONALITET TERRORISTI DHE CILI ËSHTË PROFILI I SAKTË PSIKOLOGJIK I TERRORISTIT
Psikologu dhe njëherit profesori universitar Qufli Osmani thotë se, pas çdo akti terroristë çështjen e parë që shtrojmë është se: Si duket një terrorist? Çfarë personaliteti ka? Çfarë ka punuar dhe në cilat rrethana ka jetuar? Përgjigjet në pyetjet e parashtruara krijojnë një profil “terrorist” që përbëjnë karakteristika me të cilat individi i caktuar identifikohet. Përfundimet e diskutimeve mbi profilin psikologjik të terroristëve janë kryesisht kontradiktore.
”Sipas shumicës së autorëve, terroristët zakonisht nuk ndryshojnë nga jo-terroristët si në strukturën e personalitetit ashtu edhe në nivelin e shëndetit mendor. Edhe rasti i fundit i Vijenës, shkon në favor të një konstatimi të këtillë. Fqinjët, ata që e njihnin Kujtimin, raportonin për një personalitet të rëndomtë që nuk tregonte shenja të terroristit. Përpjekjet e shumta për të krijuar një profil unik psikologjik të terroristëve, kryesisht janë të pasuksesshme, për arsye të ndryshme: profilet kryesisht burojnë nga përshkrimet individuale të terroristëve të njohur dhe kryesisht mbështeten në burime jo të besueshme, për shembull media, dëshmi të anëtarëve të familjes ose viktimave të akteve terroriste. Dinamika grupore konsiderohet si një nga elementet më të rëndësishme në formësimin e qëndrimeve individuale, fetare ose kulturore dhe sjelljeve të terroristëve. Kohë më parë kam lexuar mbi një tipologji mjaft interesante sipas të cilës ekziston profili i teroristit ”lider”, “idealist” dhe “oportunist”. Shkurtimisht, një “Lider-terroristi” përpiqet të krijojë ndryshime politike, shoqërore ose ideologjike, “Idealisti” vepron dhe ekzekuton urdhëra kurse “oportunisti” zakonisht ka disa tipare antisociale, vuan nga konfuzioni i identitetit dhe nuk e sheh veten në rendin ekzistues të shoqërisë”, potencon Osmani për Albanews24.
Osmani shton se synimi kryesor i “terorizmit” është “mendja”, prandaj edhe themi se terrorizmi kryesisht përqëndrohet mbi arritjen e efektit psikologjik (frikën, panikun, pasigurin etj) pasojat e të cilit tejkalojn pasojat fizike që mbeten pas një akti të tillë.
A ËSHTË TERRORIZMI NDËR KËRCËNIMET E MËDHA EDHE PËR MAQEDONINË
Eksperti për çështje të sigurisë dhe intelegjencës, Selim Ibrahimi thotë se në Maqedoni nuk ka kërcënime të drejtëpëdrejta nga rrejetet e terrorizmit, por organet e sigurisë të intelegjencës dhe kundërintelegjencës duhet të trajtojnë rastet pa bagazh etnik dhe ashtu si janë të koduara nga Interpoli dhe shërbimet e vendeve partnere. Maqedonia duhe të punojë në zbulimin dhe parandalimin e ekstremizmit ekonomik se sa në fushatat e njëllosjeve ndëretnike. Për këtë qeverisë do t’i duhen ekipe dhe njerëz profesionistë dhe jo partiake dhe njerëz të dëshiruar të sigurimit.
”Pollogu nuk është bazë dhe as që ka prodhuar radikalistë të përmasave ndërkombëtare. Shqiptarët e RMV-së dhe përkatësia e tyre fetare nuk është ekstremiste dhe nuk ka ngjyrime të shumta nënfetare që do të nxiste prodhim të veprimeve radikale esktreme. Rastet e shkuarjes së shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut në luftërat e huaja gjatë viteve kur ISIS ishte aktiv në Levant, më shumë janë të lidhura me paprespektivën ekonomike individuale se sa ideologjike. Ka pasur të tillë që kanë marrë rrugën drejt Lindjes për kauza fetare, por shumica ikën për arsye financiare dhe pamundësisë që Maqedonia t’iu gjejë mirëqenie dhe ekonomi në vendlindje. Ndarjet sektare dhe etnike kanë qenë një ndër faktorët e largimit drejt qendrave të huaja. Andaj në Pollog s’ka bazë për radikalizëm. Disa që flasin për këtë temë nuk e kanë studiuar mirë rakikalizmin dhe ekstremizmim në Ballkan. Mirëpo rastet individuale dhe që kanë të bëjnë me “Home Grown” radikalizëm iu përktet shteteve përkatëse të mirren me ta dhe ta menaxhojnë situatën dhe rastet që ju paraqiten. Në Europën Perëndimore ky lloj radikalizmi është vendas dhe nuk lidhet me shqiptarët e RMV-së. Me këtë problem autoritetet e sigurisë duhet ta trajtojnë si të tillë dhe pa implikime rajonale ose etnike. Për Maqedoninë nuk do të thoja se është në shenjë të parë ky farë lloj terrorizmi. Mirëpo ky vend është tepër i brishtë për shkak të dallimeve etnike, fetare dhe pasigurisë ekonomike të qytetarëve e në veçanti të shqiptarëve që mund të ndikohën nga grupe për arsye të shumta. Duhet investuar më mjediset shqiptare dhe siç shihet kjo gjë nga shteti dhe partitë tona nuk e shohim”, deklarohet Ibrahimi.
ÇFARË HAPA KONKRET KA MARRË BFI DERI TANI PËR TË PARANDALUAR RRITJEN E KËTYRE MENDËSIVE QË DEVIJOJNË NGA MËSIMET ISLAME
Nga Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni (BFI) nuk treguan për masat konkrete dhe nëse kanë ndonjë plan strategji që kanë ndërmarrë për parandalimin e këtij fenomeni, por për Albanews24 thotë se ka themeluar qendrat edukative-arsimore (Shkollat e mesme-Medresetë dhe Fakultetin e Shkencave Islame) me qëllim që brezat e ardhshëm të edukohen në frymën e pastërt Islame dhe mos devijojnë duke rënë nën ndikimin e idologjive të ndryshme që bota bashkkohore dhe media po i servon.
”BFI gjithnjë është e kujdesur që në rradhët e saj mos depërtojnë elemente të cilët nuk përputhen me mësimet dhe kulturën tone fetare shekullore që parim bazë ka kultivimin e tolerances dhe mirëkuptimit në shoqëri multikulturore, multifetare dhe multinacionale. Është një fakt i pamohueshëm që vërteton këtë realitet. P.SH.Në qoftë se është paraqitur ndonjë element radikal këtu te ne apo jashtë vendit asnjëri prej tyre nuk është produkt i mësimeve dhe vlerave që kultivon BFI-ja. Edhe rasti terrosist në Vjenë ka të bëjë me një person i cili fare nuk ka frekuentuar as qendrat edukative islame shqiptare në Austri, por as edhe ato të vendit tonë. Prandaj edhe referimi te ne ndoshta është krejtësisht i gabuar ndonëse personi në fjalë ka lindur, është rritur dhe shkolluar krejtësisht në një shoqëri jashta kulturës së xhamive tona shqiptare”, kumtojnë nga BFI.
Nga BFI shtojnë se me hapat që hedh dhe me strategjinë e punës së saj deri më tani është e mbrojtur nga këto elemente destruktive të vlerave njerëzore. Por në të ardhmen ashtu si deri më sot do të jenë edhe më vigjilent në parandalimin e dukurive devijante, ekstreme e radikale.