Të jetosh, të mendosh, të luftosh dhe të sakrifikosh për vatrën e paraardhësve të tu, për idealin dhe vizionin tënd për ndërtimin e shtetit të lirë, të pavarur dhe të njohur mbarëbotërorë, nuk është as lehtë, as thjeshtë. Çdo etapë në konsolidimin e shtetit të ri, të institucioneve të reja demokratike dhe fitimin e respektit nga shtetet botërore është sfidë në vete e cila kërkon angazhim mbinjerëzor dhe luftë të vazhdueshme diplomatike, juridike dhe mbështetje të shteteve mike dhe partnere. Republika e Kosovës, institucionet dhe përfaqësuesit e institucioneve kosovare, populli kosovar, tani ballafaqohen me sfidën e radhës. Ju uroj durim, qetësi, unitet dhe besim në provat e pastërtisë së luftës së UÇK-së, ngadhënjim të drejtësisë mbi padrejtësinë. Ruani dinjitetin dhe vazhdoni ballëndritur dhe faqebardhë! Apeloj te Zyra e Prokurorisë Speciale që të ushtrojë detyrën me profesionalizmin më të madh të mundshëm dhe mos lejojë që populli që ishte viktimë në një periudhë të tmerrshme që e kemi akoma të gjithë të freskët në kujtime, të barazohet me palën agresore. Kjo do të ishte degradim i vlerave dhe parimeve që ishin, janë dhe shpresojmë do të jenë edhe në të ardhme shtyllat mbi të cilat do të qëndrojnë shtetet bashkëkohore demokratike. Talat Xhaferi.