“E vogla Amal”, kukulla do të ecë në disa vende të Europës për sensibilizimin e vuajtjes së refugjatëve

“E vogla Amal”, një kukull e gjatë 11.5 metra do të shkojë nga Siria në disa vende, nga prilli deri në korrik të 2021-ës, duke ndjekur rrugën që bëjnë shumë refugjatë.

Nëntëvjeçarja Amal është në kërkim të nënës së saj dhe e vetme e bën udhëtimin e tmerrshëm prej 8 mijë kilometrash. Kjo është një iniciativë e teatrit britanik “Good Chance” që bashkë me kompaninë e kukullave “Handspring”, ka sjellë Amalin në jetë në mënyrë që të hedh dritë për krizën ndërkombëtare të refugjatëve, njofton Klan Kosova.

Përgjatë udhëtimit të saj, ajo do të ndalet në mbi 70 qytete, qyteza dhe fshatra. Ajo do të mirëpritet me art, nga paradat kryesore në rrugë dhe shfaqjet në të gjithë qytetin si ato të muzikës, vallëzimit dhe teatrit, deri te ngjarjet e komunitetit. Udhëtimi i saj shërben si një kujtesë për publikun që të mos harrojë për miliona fëmijë refugjatë të zhvendosur dhe të ndarë nga familjet e tyre.

Ky udhëtim po pritet që të ketë ndikim në sensibilizimin e njerëzve për vuajtjet e refugjatëve nga vendet e luftës.