Sulmi në Austri, Qeveria mbyll dy xhami

Qeveria e Austrisë urdhëroi të premten mbylljen e dy xhamive, të frekuentuara nga një militant islamist, i cili ka vrarë katër vetë në Vjenë.

Dy xhamitë ndodhen në periferi të Vjenës – njëra quhet Melit Ibrahim në rrethin Otakring dhe tjetra Tewhid në zonën Majdling.

Ministrja e Integrimit e Austrisë, Susanne Raab, tha se agjencia vendase e inteligjencës BVT ka vlerësuar se “vizita në këto xhami e ka përshpejtuar radikalizimin e sulmuesit”.

Sulmuesi, i identifikuar nga autoritetet austriake si Kujtim Fejzullai, me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, ka kryer sulmin të hënën, duke hapur zjarr në gjashtë lokacione në qendër të Vjenës.

Dy gra dhe dy burra janë vrarë dhe 23 janë plagour.

Policia e ka vrarë sulmuesin dhe ka zbuluar se ai ka pasur edhe shtetësi austriake, edhe shtetësi maqedonase.

Sulmuesi ka udhëtuar në Turqi në vitin 2018, në një përpjekje për t’u bashkuar me militantët e Shtetit Islamik në Siri, por është kapur dhe dërguar përsëri në Austri.

Grupi militant Shteti Islamik ka thënë se qëndron pas sulmit në Vjenë.