56 milionë britanikë sërish në ‘lockdown’ për shkak të COVID-19

Me shpresën për të frenuar progresin e shpejtë të COVID-19, Anglia vendosi sot një “lockdown” tjetër për të paktën 56 milionë banorët e saj, ndërkohë që Italia dhe Qipro po përgatiten të jetojnë nën shtetrrethim dhe SHBA-ja shënoi një rekord tjetër me më shumë se 100 000 raste të regjistruara në 24 orë.

Europa është rajoni i botës ku koronavirusi i ri po përhapet më shpejt. Më shumë se 11 milionë raste janë numëruar, gjysma e të cilave janë shpërndarë mes Rusisë, Francës, Spanjës dhe Britanisë së Madhe.

Në shkallë botërore, pandemia ka shkaktuar vdekjen e të paktën 1,2 milionë personave. SHBA-ja ka regjistruar numrin më të lartë të viktimave me më shumë se 233 650).

Pas Irlandës dhe Francës, momenti për një kufizim të dytë erdhi sot për Anglinë dhe 56 milionë banorët e saj.

“Ne do të paguajmë për këtë për vite me radhë. Kjo mbyllje do të na kushtojë mijëra sterlina më shumë”, shprehu me keqardhje Joe Curran, pronari i pub-it “The Queen’s Head” në lagjen plot aktivitet të Londrës, Soho.

Bizneset që konsiderohen si jo thelbësore do të duhet të mbyllen, ndërsa restorantet, pub-et dhe kafenetë do të jenë në gjendje të ofrojnë vetëm dërgesa. Sidoqoftë, shkollat ​​do të qëndrojnë të hapura.

Për të zbutur shqetësimet, kryeministri britanik Boris Johnson ka premtuar se ky kufizim do të përfundojë më 2 dhjetor.

“Unë sinqerisht shpresoj se ne më pas do të mund ta rikthejmë këtë vend në rrugën e duhur, të rihapim bizneset dhe dyqanet ndërsa Krishtlindjet po afrohen”, theksoi ai.