Universiteti i Tetovës dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare nënshkruan memorandum bashkëpunimi

Universiteti i Tetovës dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot nënshkruan memorandum bashkëpunimi, i cili ka për qëllim përsosjen dhe trajnimin e kuadrove, shkëmbimin e përvojave, njohurive dhe edukimit.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Prof. Dr. Viktor Dimovski.
Sipas drejtuesve, nënshkrues të këtij memorandumi, të dy institucionet do të bashkëpunojnë ndërmjet tyre dhe do të japin ndihmë dhe përkrahje të ndërsjellë në lëmenjtë vijues: mësim praktik për studentët e Universitetit, veprimtari aplikative dhe shkencore-hulumtuese, organizim të trajnimeve, tryezave të rrumbullakëta, debateve, konferencave dhe formave të tjera të ngjashme, bashkëpunim të ndërsjellë gjatë përgatitjes së dokumenteve me rëndësi strategjike nga fusha e sigurisë, përdorim të mjeteve dhe objekteve të Agjencisë dhe Universitetit, në kushte të përcaktuara nga Agjencia dhe Universiteti, shfrytëzim të literaturës profesionale nga fondi i bibliotekës së Universitetit për nevojat e Agjencisë, dhënie të ndihmës profesionale nga ana e Universitetit gjatë përgatitjes së akteve të caktuara ligjore dhe nënligjore, që janë nën kompetencë të Agjencisë, bashkëpunim në fushën e dhënies dhe ndarjes së bursave, si dhe dhënie të rekomandimeve për profilizim të kuadrove profesionale nga radhët e studentëve të Universitetit për nevojat e Agjencisë.
Ky bashkëpunim reciprok ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare është në dobi të të dyja palëve pasi i ndihmon institucionet përkatëse në ngritjen e kapaciteteve në sferën arsimor-shkencore, përmes shkëmbimit të materialeve të ndryshme, përvojave, ideve e rekomandimeve, si eksperienca që do të na ndihmojnë t’i aplikojmë në praktikë në fushën e caktuar ku veprojmë.