Covid–19: Si ja del Kina të përpunojë miliona tamponë në ditë?

Kina, toka “mëmë” e pandemisë së COVID – 19, sot krenohet me menaxhimin e situatës dhe përhapjes së infeksionit. Rimëkëmbja ekonomike dhe shpërthimi turistik tregojnë se vendi ka arritur të “dominojë” virusin. Një nga pyetjet më thelbësore që shtrohet është si arrin Kina të realizojë kaq shumë tamponë, në aq pak kohë?

Sa i takon tamponëve, problemi i vërtetë nuk është me marrjen e mostrave, por analiza. Nëse do të duhej të kryheshin 1 milionë tamponë në ditë, sigurisht që laboratorët do të kishin telashe t’i përpunonin të gjithë brenda pak orëve. E në fakt, ky është fiks problemi me të cilin Kina është dashur të përballet. Nga kjo ka lindur ideja e “testimit grumbull”, një metodë që kombinon 10 mostra në të njëjtën kohë gjatë testimit.

Nëse një grumbull është pozitiv, të 10 njerëzit karantinohen dhe testohen individualisht. Në thelb, me pak fjalë, autoritetet shëndetësore kineze mbledhin tamponë të shumtë nga njerëz të ndryshëm në një enë të vetme (dhjetëra, por disa pretendojnë qindra). Pastaj ata kryejnë analizën e të gjithë kontejnerit dhe jo të tamponëve individualë, duke ulur në mënyrë drastike numrin e analizave të nevojshme për të bërë.

Nëse analiza e kontejnerit jep një rezultat negativ, njerëzit e atij grupimi deklarohen negativë. Nëse, nga ana tjetër, analiza e kontejnerit rezulton pozitive për koronavirusin, njerëzit thirren menjëherë për t’i dhënë secilit prej tyre një tampon të ri, i cili kësaj here analizohet individualisht për të identifikuar rastet pozitive. Kjo metodë, e quajtur gjithashtu “test i bashkuar”, është miratuar edhe nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave.