Partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe, nën arsyetimin se vetëm brenda një jave 2000 persona janë prekur nga koronavirusi.
“Maqedonia po përmbytet nga Kovid-19, ndërkohë që Filipçe nuk mërzitet fare. Nuk ka përgjegjësi edhe pse për një javë kemi mbi 2000 të prekur nga Kovid-19. Më shumë se sa që Filipçe prognozonte se do të kemi gjatë gjithë pandemisë. Filipçe nuk ka kredibilitet, e kaloi gjithë verën pa mos u përgatitur, nuk është investuar në kapacitete të reja spitalore, në kushte për kuadrin mjekësor e as në pajisje”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga partia e Mickoskit nënvizojnë se akoma nuk ka vaksina kundër gripit sezonal. Mijëra persona të moshuar dhe persona me sëmundje kronike po përballen me rrezik.
“Nuk janë përgatitur protokolle adekuate për shkollat. Për këtë arsye kemi edhe nxënës dhe mësimdhënës të prekur nga koronavirusi”, thuhet mes tjerash në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.