Doktorët po raportojnë një rritje të kërkesave të pacientëve për medikamentin eksperimental kundër Covid-19, pasi Donald Trump e quajti ilaçin e Regeneron Pharmaceuticals “një bekim nga zoti” dhe një kurë efektive kundër virusit.
Dy mjekë të përfshirë në testimin e ilaçit thanë se më shumë pacientë po kërkojnë të marrin pjesë në testimin e tij edhe pse ekspertët e mjekësisë kanë tërhequr vëmendjen se medikamenti është ende në fazën testuese.
Të mërkurën, pak orë pasi Trump e quajti medikamentin kurën më të mirë për virusin, Regeneron njoftoi se do të paraqesë një kërkesë për autorizimin e përdorimit emergjent të ilaçit që bën bashkë dy antitrupa që ndihmojnë sistemin imunitar të luftojë virusin.
Aksionet e Regeneron dhe një kompanie tjetër që po kryen testime për trajtimin me antitrupa, u rritën pas ndërhyrjes së Trump.
Edhe pse presidenti tha se qindra e mijëra doza ishin gati për përdorim, Regeneron thotë se ai ka në fakt doza për 50 mijë pacientë dhe mund të sigurojë doza të mjaftueshme për 300 mijë pacientë të tjerë muajt e ardhshëm.