Bazuar nga të dhënat e sondazhit të kryer nga “Rusia e bashkuar”, 73% e rusëve nuk janë të gatshëm të vaksinohen me vaksinën kundër COVID-19. Të gatshëm të vaksinohen janë vetëm 23% e të anketuarve, ndërsa 4% e të anketuarve janë shprehur se nuk kanë nevojë të vaksinohen pasi që e kanë pasur COVID-19.
Numri kaq i madh i të anketuarve që nuk janë gati të vaksinohen dhe i atyre që vlerësojnë që vaksinimi duhet të jetë vullnetar, ka të bëjë me mungesën e besimit te vaksina ruse kundër COVID-19, pasi që deri me tani asnjë nga shtetet perëndimore nuk e ka licencuar atë.
Nga numri i përgjithshëm i të anketuarve, 93% janë shprehur se vaksinimi duhet të jetë vullnetar, ndërsa 7% janë shprehur se vaksinimi duhet të jetë i detyruar.
Në pyetjen se cilës vaksinë i besojnë rusët, 24% e të anketuarve janë shprehur se nuk do të refuzonin nëse do të vaksinoheshin me vaksinën ruse, ndërsa 16% e të anketuarve janë shprehur se do të preferonin që vaksina të jetë e huaj, jo vaksina ruse. 63% e të anketuarve janë shprehur se me rëndësi është që vaksina të jetë efikase dhe jo kush e ka prodhuar.