Ky vlerësim i Erdoganit zuri vend në mesazhin e tij dërguar kryetarit të Partisë së Kauzës së Lirë (Huda Par), Is’hak Saglam, me rastin e Simpoziumit Ndërkombëtar për Salahadin Jusuf ibn Ajubin, organizuar nga kjo forcë politike.
“Ne kujtojmë me mirënjohje ngadhënjimtarin e dytë të Jerusalemit, Salahadin Jusuf ibn Ajubin dhe ushtarët e tij heroikë”, u shpreh ai.
“Salahadin ibn Ajubi ishte një komandant i madh dhe me dashurinë për Jerusalemin në zemër, i cili thoshte: «Si mundet Salahadini të flejë në shtëpinë e tij kur Shtëpia e Allahut është në robëri»”, rikujtoi kreu i shtetit turk.
Erdogani theksoi se Salahadin ibn Ajubi, të cilin autori i himnit kombëtar turk, Mehmet Akif Ersoj, e përshkruante si “sulltani më i dashur i Lindjes”, ka përherë një vend të posaçëm jo vetëm në zemrën e myslimanëve, por edhe në konsideratën e rivalëve të tij falë drejtësisë, trimërisë, dhembshurisë dhe heroizmit të brumosur në karakterin e tij fisnik.
“Amaneti më i madh që na ka lënë Salahadin ibn Ajubi, është Jerusalemi, kibla jonë e parë, të cilit ai i ridha lirinë duke e çliruar nga pushimi i kryqëzatave. Të parët tanë gjithashtu e rindërtuan Jerusalemin dhe e ribënë atë një atdhe të sigurt për besimtarët e të gjitha feve”, sqaroi presidenti turk.
Sipas tij, është detyrë e çdo myslimani që t’i dalë për zot Jerusalemit dhe të shfaqë respektin, ndjeshmërinë e duhur për të.
“Çdo nismë që përligj pushtimin izraelit, miraton planet izraelite për aneksimin e Jerusalemit dhe territoreve palestineze apo që injoron të drejtat legjitime të vëllezërve tanë palestinezë, është tradhti ndaj amanetit të Salahadin Jusuf ibn Ajubit”, potencoi ai.
Erdogani uroi në fund të mesazhit të tij që ky simpozium, organizuar në një periudhë të intensifikimit të përpjekjeve të këtilla (marrëveshjet e normalizimit të nënshkruara nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni me Izraelin në Shtëpinë e Bardhë) nën pretekstin e “normalizimit”, të jetë me dobi për lumturinë e ymetit dhe ardhmërinë e Jerusalemit, në përputhje me testamentin e Salahadin ibn Ajubit.