Nëse vazhdon trendi i zvogëlimit drastik të numrit të nxënësve në shkollat e Strugës, atëherë nuk do të jetë befasi nëse një pjesë e stafit ta humbin punën. Arsyeja për këtë situatë duhet parë mbi të gjitha në largimin e brezave të rinj në Evropën Perëndimore. Mësuesi, Zini Jusufi, thotë se vetëm në shkollën e fshatit Koroshishtë, ku ai punon, numri i nxënësve nga 615, nga dhjetë vjet më parë, tani është zvogëluar në vetëm 140.
Që të mos ndodhë që shumë mësues të humbasin punën e tyre, Qeveria duhet të miratojë një strategji për pensionimin e një numri të caktuar të arsimtarëve me përvojë pune prej 37 ose 39 vjetësh, thotë Resul Bekteshi, Kryetar i Shoqatës së Mësuesve të pensionuar shqiptarë nga Struga dhe Ohri.
Numri i nxënësve në klasat e para këtë vit në Strugë është më i ulët për 43, krahasuar me vitin e kaluar. Rënie më të madhe ka në Llabunishtë, ku nga 134 nga viti i kaluar, këtë vit ka 114 nxënës të klasave të para edhe në shkollën “Vëllezërit Milladinovci “, ku nga 149 nxënës të klasës së parë vitin e kaluar, tani janë vetëm 122. Në shkollën e fshatit Zhepin, këtë vit nuk do të ketë asnjë nxënës në klasën e parë.