Komiteti Ekzekutiv i UEFA vendosi sot të lejojë kthimin e pjesshëm të spektatorëve për ndeshjet e kompeticioneve të UEFA-s, aty ku lejohet nga autoritetet lokale, duke filluar nga ndeshjet e ekipeve kombëtare javë e ardhshme.
Vendimi erdhi pas provës së suksesshme që u realizua në Superkupën e Europës në Budapest më 24 shtator.
Maksimumi i spektatorëve të lejuar do të jetë 30 % i kapacitetit të stadiumit përkatës, ndërkohë që tifozët miq nuk do të lejohen në transfertë deri në një njoftim tjetër.
Gjithsesi, UEFA bën me dije se lejimi i tifozëve në stadium dhe kufiri i kapacitetit të përcaktuar do të varen nga rregullat e autoriteteve lokale të çdo vendi të imponuar nga pandemia COVID.
Ndeshjet e UEFA-s nuk mund të luhen me spektatorë në vendet ku autoritetet lokale e kanë të ndaluar dhe kufiri prej 30% mund të aplikohet vetëm kur limiti i vendosur nga autoritetet lokale nuk është më i ulët.
Distancimi social do të jetë i detyrueshëm për spektatorët dhe masat shtesë paraprake, të tilla si mbajtja e maskave, duhet të zbatohen në përputhje me rregulloret lokale.