Carovska: Hap pas hapi do të arrijmë të digjitalizojmë arsimin

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2020/2021 theksoi se është e kënaqur për arritjet në përshtatjen e sistemit arsimor komfor rregullave për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Carovska theksoi faktin që të gjitha këto ndryshime janë arritur në një periudhë të shkurtër prej 4 javëve.

“Do të ketë shumë sfida para nesh, por mos të harrojmë që për 4 javë gjatë të cilëve realizuam një ndryshim në sistemin arsimor, treguam se mund të trajnohen të gjithë mësimdhënësit, treguam rëndësinë e trajnuesve nacional, që gjithashtu janë mësimdhënës por që tani janë mbështetje për mësimdhënësit në klasa. Jo çdokush ka aftësitë digjitale, por hap pas hapi në fund do të arrijmë deri tek arsimi i digjitalizuar, mos të harrojmë se për një muaj kemi bërë kërcim dekadësh”, tha mes tjerash Carovaska.

Ndryshe, këtë vit shkollor për shkak të pandemisë, mësimin nga distanca pritet ta ndjekin 260 mijë nxënës dhe 25 mijë mësimdhënës, ndërsa rreth 40 mijë nxënës mbeten jashtë mësimit online për shkak se nuk kanë pajisjet e duhura. Me prezencë fizike do të mësojnë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë, si dhe mbi 600 shkolla që kanë marrë leje, njëherë që plotësojnë kushtet për zbatimin e protokolleve për zhvillim të mësimit me prezencë fizike.