Krijohet roboti që ndihmon në testin për Covid-19

Një kompani në Singapor ka krijuar një robot të automatizuar për testimin e tamponëve, me anë të së cilit shpreson të shmangë kontaktin me duar të punonjësve të kujdesit shëndetësor gjatë procesit të testimit për koronavirus.

Roboti i quajtur SwabBot, i cili u zhvillua nga kompania e teknologjisë Biobot Surgical Pte Ltd dhe Qendra Kombëtare e Kancerit në Singapor (NCCS), lejon përdoruesit të fusin dy copa plastike në vrimat e hundës nga ku një tampon futet në zgavrën e saj, dhe merr një mostër.

Procesi aktivizohet në momentin që pacienti shtyn mjekrën e tij te një mbështetje e vogël që ka makina. Si masë sigurie, SwabBot tërheq automatikisht tamponin nëse has në ndonjë lloj barriere ose rezistence, që mund të lëndojë pacientin.

Makineria duhet të pastrohet dhe mirëmbahet, por pjesa tjetër e procedurës 20 sekondëshe është plotësisht e automatizuar.

Një nga këshilltarët e vjetër të projektit Profesori Tan Ngian Chye i NCCS-ë, tha se SwabBot u krijua për të “kursyer fuqi punëtore”, në kohën që po kërkohej testim masiv për COVID-19 në të gjithë Singaporin. Singapori ka testuar qindra mijëra punëtorë emigrantë, të cilët ishin edhe burimi i shumicës së infeksioneve në vend.

SwabBot për momentin është vetëm një prototip, por Drejtori Ekzekutiv i Biobot, Sim Kok Hwee tha se ka plane për të prodhuar të paktën 100 njësi. Ai u shpreh se nuk ka ende një çmim të caktuar për robotin, por kompania ka parë shumë interes për të nga klientët e mundshëm brenda dhe jashtë vendit.