Nxënësit do të nisin një vit të ri shkollor, por do të mësojnë nga të njëjtat libra me gabime gjuhësore dhe shtrembërime të fakteve historike apo gjeografike nga të cilat kanë mësuar edhe gjeneratat e para tyre.
Premtime se ato do të mënjanoheshin kanë bërë shumë ministra. Të njëjtin e bëri një ditë më para edhe ministrja Mila Carovska, e cila tha se do të punojnë maksimalisht në këtë drejtim. Megjithatë, profesori Avzi Mustafa, thotë se librat në vëllimin e të cilave janë hasur më shumë se 30% gabime, duhet të ribotohen dhe jo vetëm të korrigjohen pjesërisht. Sipas tij, për mënjanimin e të gjitha gabimeve në tekstet shkollore do të nevojiteshin së paku dy vjet, nëse ministria do të fillonte që sot të punojë në këtë drejtim.
Ministria e Arsimit para disa vitesh informoi për formimin e një Komisioni Qeveritar për për regjistrimin e të gjitha lëshimeve që janë bërë nëpër librat shkollorë. Por në disa nga tekstet shkollorë mbeten të pandryshuara. Alsat pyeti në ministrinë e Arsimit nëse komisioni në fjalë vazhdon të funksionojë. A ka ky dikaster ndonjë plan konkret për zgjidhjen e problemit me tekstet shkollore. Kur do të ndërmerren hapa konkret, sa kohë do të nevojitet dhe në çfarë mënyre do të veprohet për mënjanimin e gabimeve? Deri tani nga ky dikaster nuk kemi përgjigje. Ndër vite në librat e filloristëve, por jo vetëm janë hasur përmbajtje të tilla që vlerësohen si fyese dhe tendenciozeve.