Një mosmarrëveshje historike e ndezur midis dy vendeve fqinje në Ballkan është duke u bërë një çështje për Brukselin, sepse negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut pritet të fillojnë në dhjetor të këtij viti.
Qeveria e shtetit që i përkiste Jugosllavisë deri në 1991 dhe është kandidat i BE që nga viti 2005 shpresonte se u kishte dhënë fund të gjitha mosmarrëveshjeve historike me fqinjët e saj duke ndryshuar emrin e shtetit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut. Pasi u anëtarësua në NATO marsin e kaluar, vendi më në fund donte të niste rrugën e gjatë për anëtarësimin e plotë në BE. Por Bullgaria i sheh gjërat ndryshe.
Një dokument i titulluar “Memorandum Shpjegues mbi Marrëdhëniet e Republikës së Bullgarisë me Republikën e Maqedonisë së Veriut në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe procesin e asociimit dhe të stabilizimit” tërhoqi vëmendjen e mediave të Maqedonisë së Veriut javën e kaluar. Dokumenti u në 26 kryeqytetet e BE-së në gusht 2020. “Procesi i pranimit i Republikës së Maqedonisë së Veriut ofron një mundësi të vërtetë për udhëheqjen e saj për të hequr dorë nga trashëgimia dhe praktika ideologjike e Jugosllavisë komuniste. Procesi i zgjerimit nuk duhet të legjitimojë ndërhyrjen etnike dhe gjuhësore të regjimeve të kaluara autoritare,” thuhet në memorandum.
Sipas historiografisë zyrtare bullgare banorët me origjinë sllave të Maqedonisë së Veriut janë bullgarë dhe flasin bullgarisht – por u lanë trurin gjatë regjimit komunist në Jugosllavinë e Titos (1945-91). Një identitet dhe gjuhë e re “maqedonase” u imponuan artificialisht. Ky pretendim nuk është i ri, është pozicioni zyrtar i Bullgarisë që nga vitet 1950. Por si anëtare e BE-së Bullgaria tani ka një avantazh ndaj kandidatit të BE-së Maqedonisë së Veriut, avantazh që Sofja padyshim që dëshiron të shfrytëzojë.